Dy të arrestuar për ryshfet

Policia ka arrestuar dy të dyshuar për marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në Grabanicë të Klinës. Atyre u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Lajme

09/11/2013 12:20

Policia e Kosovës njofton se Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, gjatë një pune operative – hetimore ka arritur që të bëjë arrestimin e dy personave të dyshuar nën dyshimin e bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale “marrje e ryshfetit’’ dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” .

“Më 8 nëntor 2013 rreth orës 14:00 të dyshuarit tashmë të arrestuar kanë shkuar në fshatin Grabanicë komuna e Klinës në një seperacion me qëllim që të marrin shumën e parave prej 1000 euro që më pastaj t’i kryenin shërbimet zyrtare t’i lëshonin licencën ku me këtë rast kanë kryer veprën penale “marrje e ryshfetit’’ dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Të dyshuarit janë N.B. mashkull shqiptar i lindur në vitin 1957 dhe L.Q. gjithashtu mashkull shqiptar i lindur në vitin 1962.

“E tërë puna operativo- hetimore është kryer nën mbikëqyrjen e prokurorit kompetent , i cili ndaj të dyshuarve ka lëshuar urdhrin e ndalimit për 48 orë”, thotë Policia e Kosovës.