Dy skenarët paszgjedhorë

Gerrard Gallucci hedh idenë e tij pse serbët në Veri ndërprenë votimin e së dielës. Ai mendon se ata kanë dashur ta pengojnë zgjedhjen e Adrijana Hodzicit në krye të Komunës. Tash Veriu ka dy skenarë.

Lajme

07/11/2013 09:24

Ish Administratori Rajonal i UNMIK’ut për Mitrovicën, Gerrard Gallucci, ka dhënë një mendim interesant për atë se çka i shtyu ekstremistët serbë që të ndërhynin të dielën në mbrëmje për ta prishur një proces zgjedhor në Mitrovicën e Veriut.

Ai ka idenë se e gjitha kjo mund të jetë bërë vetëm për ta penguar Adrijana Hodzic’in që të zgjidhet kryetare e komunës pasi që serbët në këtë komunë i kishin bojkotuar zgjedhjet në masë të madhe.

“Duket se “banditët” të cilët sulmuan vendvotimet mund të kenë pritur derisa u bë e qartë se mjaft votues jo-serbë votuan për ta zgjedhur kandidaten e Prishtinës, boshnjaken Adrijana Hodzic- për kryetare të komunës”, thotë Gerrard Gallucci në një shkrim të botuar në blogun e tij.

“Një prani e thjeshtë policore e EULEX’it nuk do të mund t’i largonte këta pak serbë të gatshëm që të votonin, por do të duhej që ta bënte të mundur që vendvotimet të mbeteshin të hapura dhe votimi të përfundonte. Sido që të jetë, votimet tani do të përsëriten dhe kjo nuk është gjë e keqe”.

Gallucci parashtron pyetjen se si njerëzit me maska ishin në gjendje të hyjnë në vendvotime. Ku ishin policia e EULEX’it dhe çka po bënin ata? Mund të ndodh që ata (dhe KFOR) vendosën që prezenca shumë e dukshme e tyre në vendvotime mund t’i paraqesë zgjedhjet si “imponim” nga komuniteti ndërkombëtar dhe të bëjë njerëzit që të mos dalin në votime.

“Ky vendim mund të jetë marrë në nivelin e lartë të Prishtinës. Ndërkombëtarët e vendosur atje shpesh besojnë shumë në pikëpamjen e tyre shumë optimiste se sa mirë po shkojnë planet e tyre”.

Sipas Galluccit, dy janë mundësitë të cilat do të shfaqen me përsëritjen e zgjedhjeve.

“Serbët e Kosovës mund ta shfrytëzojnë një rast tjetër për të dalë në numër të mjaftueshëm për ta zgjedhur njërin nga të tyrët, ose jo. Në rastin e dytë do të zgjidhej (Adrijana) Hodzic. Zgjedhja e saj mund të mos ishte gjëja më e keqe që ndodh. Ajo ka përvojë në Mitrovicën e Veriut dhe e ka drejtuar Zyrën e Prishtinës në Veri për dy vjet. Hodzic do të duhej t’i rezistonte presionit të Prishtinës për lëvizje të njëanshme në Veri por si një jo- serbe dhe jo- shqiptare, si dhe me mbështetjen edhe të Beogradit e edhe të Prishtinës, ajo do të mund të bëhej figurë transicioni të paktën e pranuar nga të dyja palët”.

“Ose serbët mund të dalin në numër të mjaftueshëm për ta zgjedhur dikë nga komuniteti i tyre. Mund të ndodh që pjesëmarrja e ulët në Mitrovicën e veriut mund të jetë shkaku i pakënaqësisë me insistimin e Beoghradit për një listë të përbashkët  dhe mbështetjes për kandidatin e vet të preferuar Krstimir Pantic. Disa në Veri e shohin Panticin si një oportunist shumë të afërt me Beogradin dhe shumë të gatshëm të bashkëpunojë me planet e tj për ta vendosur veriun nën ligjin e Prishtinës. Një rivotim pa të mund ta bëjë të mundur daljen e një kandidati më të pranueshëm. Duke e lënë anash mundësinë e Oliver Ivanovicit, duket se ka nj ndarje brenda lidershipit më “nacionalist” lokal e cila mund të çojë te një kandidat i konsideruar më “autentik” nga serbët lokalë”.

“Është e qartë se Beogradi mbetet në synimin e vet për të kërkuar nga serbët e Veriut që të dalin në zgjedhje.

Gallucci thotë se këtë e tregoi edhe deklarata e Dacicit në Bruksel kur tha se nëse serbët nuk dalin në zgjedhje, atëherë Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut do të jetë shqiptar dhe se “kjo do të mund të shkaktonte konflikt, madje edhe të armatosur”. Dhe në atë rast, Dacic ka thënë se Serbia “nuk do të mund të ndihmonte shumë”.

“Kur zgjedhjet të përsëriten, shpresohet se ato do të mbahen me prezencë adekuate të EULEX’it si dhe me vëzhgim të OKB’së dhe OSBE’së. Pavarësisht rezultatit, BE, SHBA dhe NATO duhet t’i rezistojnë presionit të Prishtinës për “ta marrë përsipër” dhe për ta vendosur sundimin e saj në Veri. Pjesëmarrja e ulët e komunitetit serb në Veri tregon se ata nuk e duan inkorporimin e tyre në Kosovën me shumicë shqiptare”, thotë Gerrard Gallucci.