Dy shqiptarë gjenden të masakruar në rrugë

Dy shqiptarë janë vrarë dhe janë hedhur në rrugë, në dy vende të ndryshme të Italisë.Ndërsa një 37-vjeçar shqiptar është gjetur i masakruar dhe i hedhur në një fushë në Verdellino në Bergamo.

Lajme

09/12/2013 10:29

Dy shqiptarë janë vrarë dhe janë hedhur në rrugë, në dy vende të ndryshme të Italisë. Mësohet se njëri nga shqiptarët është zbuluar mëngjesin e djeshëm buzë detit në lokalitetin Torre Veneri të Leçes. Mediat italiane bëjnë të ditur se trupi i pajetë i përkiste një të riu shqiptar, i quajtur Mario Jaku, 25 vjeç.

Sipas policisë kufoma ishte në një gjendje dekompozimi të avancuar, aq sa tiparet e personit nuk mund të dallohen. Por, ishte i veshur e në xhepa i janë gjetur pasaporta, letërnjoftimi dhe patenta shqiptare, që të gjitha në emër të 25-vjeçarit Mario Jaku.

Nuk është e qartë pse ndodhej në Itali, pasi nuk rezulton mes rezidentëve e as mes të huajve me dokument qëndrimi në Itali. Në këtë drejtim po u kërkohet ndihmë autoriteteve shqiptare përmes ambasadës në Romë.

Për momentin nuk dihen as shkaqet e vdekjes, as nëse ka qenë e dhunshme apo për shkaqe natyrore. Kufoma e 25-vjeçarit është çuar në morgun e spitalit Vito Fazzi të Lecces, ku të sot do t’i bëhet autopsia.

37-vjeçari shqiptar i shpërfytyruar nga goditjet e shkopinjve

Ndërsa një 37-vjeçar shqiptar është gjetur i masakruar dhe i hedhur në një fushë në Verdellino në Bergamo. Mediat italiane bëjnë të ditur se shqiptari është masakruar me shkopinj druri ose hekurash. Goditjet kanë qenë të forta dhe e kanë shpërfytyruar 37-vjeçarin, duke e vështirësuar edhe identifikimin e tij.

Policia ka bërë të ditur se ai është identifikuar vetëm me anë të shenjave të gishtërinjve. Mësohet se shqiptari 37-vjeçar është reditent në Verdellino dhe kishte një precedent të vogël penal para 10 vitesh.

Trupin e pajetë e ka gjetur një çift, burrë e grua, banorë të zonës, që të dielën 8 dhjetor 2013, në orën 07:55 minuta kishin nxjerrë qenin për shëtitje. Ata ishin duke shëtitur në rrugën “Garibaldi”, një rrugë pa krye, që zakonisht përdorej nga çiftet e reja. Por, duke shëtitur ata kishin parë diçka në fushë.

Trupi i shqiptarit ishte komplet i veshur, me këpucë të zeza, pantallona ngjyrë ulliri, rrip të errët, një bluzë të kuqe, këmishë të bardhë me vija vertikale dhe një fanellë kafe. Ndërsa koka ishte e shpërfytyruar dhe e mbuluar nga gjaku. Ndërsa pranë tij gjendej një xhaketë e errët.

Policia thotë se, besohet se mund ai mund të jetë goditur me një shkop ose me ndonjë hekur. Në xhepa nuk i janë gjetur dokumenteve, ndërsa ai nuk kishte asnjë shenjë të veçantë, duke bërë që identifikimi të bëhet vetëm nga shenjat e gishtërinjve.

Në rrugë nuk është gjetur asnjë shenjë makine, duke bërë që të mendohet se, krimi ka ndodhur në vendin ku është gjetur trupi i pajetë. Vrasësi apo vrasësit mendohet se, e kanë kryer krimin aty e jo në ndonjë vend tjetër. Policia beson se, viktima bashkë me autorët e ngjarjes së rëndë, do kenë qenë bashkë dhe më pas ka ndodhur krimi.

Policia ende nuk ka ndonjë person të dyshuar në lidhje me këtë krim dhe beson se bëhet fjalë për një sherr të dhunshëm për motive ende të paqarta.

/Shekulli/