Dy shekuj apo dy vjet nga Konferenca e Berlinit?

Në Ballkanin perëndimor në muajtë e fundit, janë mëkëmbur qëndrimet politike të cilat llogariteshin të tejkaluara një herë e përgjithmonë.

Lajme

09/09/2016 09:53

Këto ditë u bënë dy vjet nga organizimi i Konferencës për Ballkanin Perëndimor, që u mbajt në Berlin, me 28 gusht. Në vitet vijuese, kjo Konferencë pati edhe vazhdimësinë, në trajtë të takimeve në nivelin më të lartë, vjet në Vjenë dhe sivjet në Paris.
Konferenca e Berlinit synon të jetë një mekanizëm shtesë politik dhe financiar evropian, i cili do të inkurajojë ndryshimet e domosdoshme infrastrukturore dhe politike në shtetet e Ballkanit Perëndimor, në aspektin bilateral dhe rajonal, duke pasë si qëllim kryesor të vetin stabilizimin afatgjatë të kësaj pjese të Evropës dhe integrimin e gjashtë shteteve të mbetura (Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Bosnjë dhe Hercegovinës) në BE.
Rëndësia e paqëtimit të kësaj ane të Evropës është e padiskutueshme në Bruksel, në Berlin dhe në Washington. Njëlloj, edhe identiteti evropian i saj, identiteti politik dhe strategjik (me hyrjen në BE), është interes sipëror i BE-së dhe i SHBA-së. Zatën, dihet që Pakti i Stabilitetit u lansua në vitin 1999, menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë, sepse atëbotë mendohej që lufta e Kosovës është kthesa finale që do t’i jep drejtim të qartë të gjithë Ballkanit Perëndimorë.
Megjithatë, tej këtyre formulimeve të cilat edhe sot janë të pranueshme prej të gjithë liderëve të shteteve të rajonit, tej deklaratave të duhura të këtyre politikanëve në Konferencat e Berlinit, Vjenës dhe Parisit, kemi një realitet politik, në fundin e verës së këtij viti, i cili nuk korespondon shumë, as me synimet e Konferencës për Ballkanin Perëndimorë, dhe as me vetë zotimet e kryepolitikanëve të kësaj pjese të Evropës.
Në ndërkohë, vetë BE-ja e ka identitetin e mëdyshur, pas Brexit-it, prandaj, janë të paktë politikanët dhe diplomatët në Bruksel të cilët duan të mirren me Ballkan dhe dinë çka do të duhej bërë tash e tutje me shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Qasja e Brukselit, sipas një diplomati të shquar evropian, i cili vazhdon të besojë në domosdoshmërinë e përfshirjes të gjashtë shteteve të Ballkanit në BE, njeh dy qëndrime:
I pari konstaton që duhet një herë rregulluar shtëpinë evropiane, e pastaj shohim çka duhet bërë me Ballkanin.
I dyti është fare i reduktuar: Nuk jemi përngutë, shohim e bëjmë  (pastaj), me gjashtëshen e Ballkanit.
Secili i ka në fakt telashet e veta, kudo në Evropë, dhe në vet BE, për shkaqe të njohura dhe të ditura për të gjithë. Si pasojë e këtyre zhvillimeve, këndejpari, në Ballkanin perëndimor, veçmas në muajtë e fundit, janë mëkëmbur qëndrimet dhe vlerësimet politike të cilat llogariteshin të tejkaluara një herë e përgjithmonë, pra, të varrosura, vetëm para gjysmë viti.
Bosnja e Hercegovina, për shkak të Referendumit në njërin entitet të vetin  (Republika Srpskan), po kalon ditët më të rënda që prej Dayton-it e këndej. Nuk dihet a do të mbijetojë fare ky shtet, pas organizimit të Referendumit.
Marrëdhëniet politike dhe diplomatike në mes të Kroacisë dhe Serbisë, janë gjithsesi më të këqijat që prej përfundimit të luftës në Kroaci, në vitin 1995. Fjalori që është përdor në Beograd dhe në Zagreb, prej politikanëve dhe zyrtarëve serbë dhe kroatë, është po i njejti që pati përgatitur mediatikisht shpërthimin e luftës në vitin 1991.
Dialogu i Brukselit midis Kosovës dhe Serbisë, është në nivelin më të ulët që prej se ka nisur, së pari në nivelin teknik, në pranverën e vitit 2011. Nuk ka dyshim që normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, është shtyllë kurrizore e stabilitetit të Ballkanit. Sa më parë që të mbërrihet kjo vlerë politike në raportet e Kosovës dhe Serbisë, do të jetë më mirë për gjithë rajonin.
Edhe pse të gjithë akterët politikë të përfshirë në çështjen e Marrëveshjes për shenjimin e kufirit të Kosovës dhe Malit të Zi, përditë përsërisin se e tëra nuk ka të bëjë fare me marrëdhëniet shumë të mira në mes të dy shteteve, megjithatë, ky rrëfim së shpejti do të merr një apo formë tjetër, e cila pastaj do ta kontestojë cilësinë stabile të këtyre raporteve, edhe pse. Kosova dhe Mali i Zi nuk kanë kurfarë interesi për t’i dëmtuar këto raporte.
Gjendja në Maqedoni, si pasojë e zhvillimeve të njohura tash e dy vjet, karakterizohet me probleme të vazhdueshme, të cilat synohet të tejkalohen me zgjedhjet e dhjetorit.
Është ky një përshkrim fare teknik i gjendjes në Ballkan.
Të duket që jemi dy shekuj e jo dy vite larg Konferencës së Berlinit.