Dy persona të vdekur, 10 të plagosur pas të shtënave në Strasburg

Dy persona janë vrarë dhe 10 të tjerë janë plagosur si pasojë e disa të shtënave në qytetin francez, Strasburg, kanë thënë zyrtarët.

Bota

11/12/2018 22:34

Policia ka thënë se sulmuesi është identifikuar dhe se janë duke u bërë kërkime për të.

Sulmuesi është lënduar pas shkëmbimit të të shtënave me një ushtar, kanë thënë zyrtarët policorë.

Të shtënat është thënë të kenë ndodhur afër një Tregu të Krishtilindjeve, në sheshin, Place Kléber.

Prokurori kundër terrorizmit në Francë ka nisur hetimet.

Duke konfirmuar numrin e të vdekurve, ministria e Brendshme franceze e ka cilësuar incidentin si “serioz për sigurinë publike”.

Zyrtarët e sigurisë kanë bllokuar zonën ku ka ndodhur sulmi, duke përfshirë edhe qarkullimin e transportit publik.

Motivet e sulmit nuk dihen ende, mirëpo tregjet e tilla të Krishtlindjeve kanë qenë caqe të sulmeve të terroristëve në të kaluarën.

Zyrtari për Shtyp në Parlamentin Evropian, Emmanuel Foulon, ka thënë se pas të shtënave ka “panik” në qendër të qytetit dhe se ka shumë forca të shtuara policore.

Zëvendës-majori i qytetit të Strasburgut, Alain Fontanel ka thënë përmes një postimi në Twitter: “Të shtëna në Strasburg. Faleminderit të gjithë atyre që janë duke qëndruar nëpër shtëpi derisa të qetësohet situata”.