Dy persona të dyshuar për vrasje në tentativë ekstradohen nga Mali i Zi në Kosovë

Dy persona të dyshuar për veprën penale, ‘vrasje e rëndë në tentativë’ janë ekstraduar nga Mali i Zi në Kosovë.

Lajme

13/12/2018 11:31

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media të dërguar nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, shkruan lajmi.net.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, me datën 28 maj 2018, ka paraqitur kërkesë për ekstradim autoriteteve të Malit të Zi, ndaj të dyshuarve G.H dhe B.Z, për veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë” nga neni 179 paragrafi 1 nën par.1.1 lidhur me nenin 28 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Të njëjtit janë ekstraduar gjatë ditës së djeshme në Kosovë.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton se me datën 12 dhjetor 2018 , të dyshuarit janë ekstraduar nga Mali i Zi, ku prokurori i çështjes ka paraqit kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve”, thuhet në njoftim. /Lajmi.net/