Dy oferta të barabarta

Emri i tij nuk do të jetë i shkruar në fletvotimet e balotazhit, por fitorja e Ramadan Mujës ose Eqrem Kryeziut në Prizren mund të shkruhet me ndihmën e tij. PDK dhe LDK tashmë i kanë bërë zyrtarisht ofertë për koalicion Zafir Berishës.

Lajme

10/11/2013 11:00

Zafir Berisha, në njëfarë mënyre, mund të thuhet se është fituesi i raundit të parë të zgjedhjeve në Prizren.

Si kandidat i Bashkimit Demokratik për Kryetar të Prizrenit, ai arriti të marrë një përqindje të votave që duket se nuk e kishin imagjinuar Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilat do ta kenë përballjen e tyre vendimtare, më 1 dhjetor, në betejen e madhe të tyre për Prizrenin.

Emri i Zafir Berishës nuk do të jetë i shkruar në fletvotimet e balotazhit, por fitorja e Ramadan Mujës ose Eqrem Kryezit, mund të shkruhet me ndihmën e tij.

Berisha, që për vite më radhë ishte Kryetar i Degës së PDK’së në Prizren, në raundin e parë të zgjedhjeve për Kryetar të këtij qyteti mori 8.281 vota, ose 12,88 për qind, duke u bërë kështu faktor i rëndësishëm i garës së balotazhit.

Këtë e kanë kuptuar edhe dy partitë kryesore që do të përballën në balotazh, të cilat kanë realizuar takimet e para zyrtare me Berishën, për të diskutuar mundësinë e lidhjes së koaliconit me partinë e tij, e cila për Asamblenë Komunale ka marrë 5.429 vota, ose 9.47 për qind.

Në raundin e parë, sipas rezultateve preliminare të shpallura nga KQZ’ja, Ramadan Muja ka marrë 23.761 vota, ose 36.95 për qind, ndërsa Eqrem Kryeziu ka marrë 16.335 vota, ose 25,40 për qind.

Zafir Berisha ka konfirmuar sot, në një intervistë për lajmi.net, se ka marrë ofertë për koalicion nga PDK dhe LDK, të cilat aktualisht është duke i shqyrtuar me kujdes.

“Jemi takuar në Prizren. Këto takime janë organizuar prej miqve të mi të vjetër të PDK’së. Ndërsa me LDK’së, takimet janë realizuar përmes Antonit [Çunit], të cilin  e njoh prej kohës së luftës. Pak a shumë, në këtë formë kanë nisur bisedimet”.

“Unë vetëm kam pritur oferta prej të dyja palëve, se çka mendojnë ato dhe çfarë ofrojnë”.

“Sot ose nesër do t’i diskutoj të dy ofertat”.

Berisha thotë se ofertat e PDK’së dhe LDK’së për partinë e tij janë pothuajse të përafërta.

“Ofertat ende s’i kam shfletuar e as analizuar në detaje, por ato janë të përafërta, me nuanca pak më ndryshe”.

“Megjithatë, këtu më shumë do të vendosë arsyeja e çështjes politike dhe interesi për ta diskutuar mundësinë për të fituar një pozitë më shumë apo më pak”.

“Si oferta, për mua janë të dyja të barabarta”.

Ofertën nga PDK Berisha e ka marrë drejtpërdrejt nga Kryeministri Hashim Thaçi, me të cilin është takuar në Prizren, me ndërmjetësimin e ZëvendësKryetarit të PDK’së, Kadri Veseli.

Ndërsa ofertën e LDK’së e ka marrë përmes deputetit Anton Çuni, në një takim ku i pranishëm ka qenë edhe Kandidati për Kryetar Komune nga kjo parti, Eqrem Kryeziu.

Berisha, të shtunën është takuar edhe me Kryeparlamentarin Jakup Krasniqin, i cili ka dalë në mbështetje të Iniciativave Qytetare në Drenas dhe Malishevë.

Por, thotë se janë takuar si miq dhe nuk kanë pasur në fokus bisedimet politike.