Dy muaj nga taksa, a po rrezikohet miqësia me SHBA-të?

Janë bërë dy muaj që kur Qeveria e Kosovës, ka vendosur taksë 100 për qind për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Lajme

22/01/2019 22:34

Taksa ndaj mallrave serbe është vendosur si kundërpërgjigje për fushatën e egër të Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës dhe kundër Kosovës në tërësi, që rezultoi me mos-anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, shkruan lajmi.net.

Me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të ngritur në 100 për qind taksën ndaj mallrave serbe dhe atyre boshnjake, filluan reagimet e panumërta.

Së pari, shteti serb reagoi duke e cilësuar këtë masë si anti-civilizim, në kundërshtim me marrëveshjen e CEFTA-s për tregti të lirë dhe si një masë që është vënë për të vështirësuar jetesën e serbëve në Kosovë.

Madje, krerët serb, pezulluan edhe dialogun me Kosovën nën arsyetimin se kjo taksë është kundër marrëveshjeve të arritura në vitin 2013 mes Kosovës dhe Serbisë.

Udhëheqësit e Serbisë, nuk e lëshuan asnjë takim të nivelit ndërkombëtar, asnjë vizitë zyrtare e jo-zyrtare brenda dhe jashtë Serbisë, për tu viktimizuar në raport me masën tarifore të vendosur nga Kosova.

Madje, Serbia nëpërmjet kryeministres Ana Bërnabiq i dhanë ultimatum prej 90 ditësh CEFTA-s që të ndërmarrin masa ndaj Kosovës që tarifa të largohet, përndryshe Serbia do të fillojë procedurat në Gjykatën e Arbitrazhit.

Në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës, reagoi edhe BE.

Nëpërmjet Përfaqësueses së Lartë Politikë të Jashtme, Frederica Mogherinit dhe zëdhënëses së saj, Maja Kocijançiq, ata kërkuan largim të menjëhershëm të taksës, gjë që nuk ndodhi.

Qeveria e Kosovës nuk u ndikua as nga këto reagime të shumta të Serbisë dhe BE-së, derisa taksa po kryente efektin e saj dhe në pikat doganore të Kosovës dhe Serbisë nuk po afroheshin mallrat serbe, shkruan lajmi.net.

Qeveria e Serbisë u deklarua se për këtë kohë sa ka hyrë në funksion taksa ata kanë humbur rreth 50 milionë euro, gjë që është shokuese për ekonominë serbe, derisa importi nga vendet e tjera të rajonit është rritur.

Kundër masës ekonomike të Kosovës ndaj Serbisë reaguan edhe shumë shtete të fuqishme të Evropës, madje edhe shtete mike të Kosovës, gjë që nuk pati ndonjë rezultat.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, vazhdimisht potenconte se kjo tarifë do të largohet kur Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës dhe se kjo masë është absolutisht e ligjshme.

E Haradinajn nuk e ndikuan as thirrjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për heqje të kësaj takse.

SHBA-të shumë herë bënë thirrje për largim të taksës, por deklaratat as nuk u komentuan gjatë.

Së fundmi, para një jave, Departamenti i Shtetit i SHBA-ve, ka dërguar një ultimatum ndaj shtetit të Kosovës, ku është kërkuar që më së largu dje, të pezullohet taksa ndaj Serbisë.

Taksa nuk u hoq. Madje as pas kërkesës së dytë të SHBA-ve që erdhi nëpërmjet ambasadorit të SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës paralajmëruan pasoja nëse taksa nuk pezullohet, por Qeveria e Kosovës është këmbëngulëse se taksa nuk do të hiqet pa ardhur njohja e Serbisë ndaj shtetit të Kosovës.

Shumë ekspertë të politikës vlerësuan se Kosova po rrezikon seriozisht marrëdhëniet me shtetin më të fuqishëm në botë e që njëkohësisht edhe promotorin më të madh të çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës.

Sot, ka kaluar një ditë nga afati i fundit që e dhanë SHBA-të për heqjen e taksës, por ajo nuk u hoq. Madje as nuk ishte në rend të ditës për diskutim në mbledhjen e qeverisë që u mbajt sot.

‘Pasojat’ të cilat u përmendën në ultimatumin e SHBA-ve ndaj Kosovës janë një sinjal që tingëllon dhe mund të jetë vërtetë i frikshëm që vijnë nga përkrahësi më i madh i Kosovës, mirëpo vendimi për taksën po vazhdon të qëndroj në fuqi.

Se kur do të pezullohet taksa mbetet të shihet.

Mbetet të shihet nëse Qeveria e Kosovës do të përcjellë këshillat dhe thirrjet e SHBA-ve ose do të veprojnë ashtu siç thanë, që taksa të mbetet deri në njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë. /Lajmi.net/