Dy Marrëveshje dhe problemet e njejta

Në demokraci, pa marrë parasysh nivelin e zhvillimit të saj në shtetet e ndryshme, problemet janë shumë të ngjashme. Kjo kuptohet nëse krahasohen zhvillimet e fundit në Amerikë dhe në Kosovë, në bisedimet me Iranin dhe me Serbinë.

Opinion

17/07/2015 12:17

Si mund të bisedohet dhe të bëhet Marrëveshja me një shtet që synon shkatërrimin tonë? Si mund të besohet një udhëheqësie e cila në vazhdimësi ka përdorë gjuhë të urrejtjes ndaj nesh, dhe që për më shumë, nuk po na i kthen qytetarët tonë, të zënë peng? Kush na garanton që ky shtet do t’i përmbushë zotimet e veta të kësaj Marrëveshjeje, kur dihet që liderët e tij janë mashtrues? Çka do të bëjmë në atë rast ne? Çfarë çmimi do të paguajmë pas një dështimi të këtillë?

Të kuptohemi. Këto pyetje nuk janë këtu në rikujtim të të gjitha dyshimeve dhe shqetësimeve të cilat kosovarët i kanë me bisedimet që Kosova po i bën me Serbinë, tash e sa vjet, në përpjekje për të mbërritë tek normalizimi i raporteve, i cili, le të përsëritet edhe një herë këtu, nuk mund të përmbyllet ndryshe pos me njohjen bilaterale të këtyre dy shteteve, të Kosovës dhe Serbisë.

Të gjitha këto pyetje bëheshin të mërkurën, me 15 korrik, në Amerikë, prej të gjithë atyre kundërshtarëve të Marrëveshjes së SHBA-së dhe partnerëve ndërkombëtarë të saj, me Iranin, e cila do të duhej të hiqte sanksionet ndaj Iranit, në këmbim të braktisjes dorë të synimeve të këtij shteti për të prodhuar armë bërthamore.

Ata që shpreshin zëshëm dhe fuqimisht kundër kësaj Marrëveshjeje që tashmë po cilësohet si historike, dyzonin argumentet morale, politike, strategjike, historike, në mohimin e saj, dhe në akuzimin e Presidentit Obama që në këtë mënyrë, ai ka bërë një gabim me pasoja largëvajtëse për sigurinë e Amerikës.

Vetë Obama, në njërin prej prononcimeve të tij, u shpreh në këtë mënyrë: ‘Kemi dashtë të tregojmë, në këto bisedime, që diplomacia mund të funksionojë. Nuk funksionon në mënyrë të përsosur. Nuk na jep neve të gjithat që i duam, që i synojmë. Por, çka mund të bëjmë në këtë rast është që t’i formësojmë ngjarjet në atë mënyrë që do t’i shtojmë gjasat për zgjidhjen e problemeve. Kjo është mundësia që na ofrohet tani…’.

Nuk është aspak vështirë të tërhiqen paralelet midis dy dialogëve, dy Marrëveshjeve, demokracisë në Kosovë dhe asaj në Amerikë, megjithëse, e tëra, së paku në shikim të parë, mund të duket një pretendim paradoksal, kur dihet se për çfarë rastesh bëhet fjalë në bisedimet rreth Iranit, dhe në ato që zhvillohen në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në demokracitë, pa marrë parasysh nivelin e zhvillimit të tyre, problemet janë shumë të ngjashme, në mos edhe identike.

Ndryshe, argumentet e Presidentit Obama, janë në fakt, plotësisht valide edhe në shembullin e Kosovës dhe të dialogut me Serbinë. Është kjo një mundësi që do të duhej të shfrytëzohej.

Argumentet e atyre që si këtu, ashtu edhe në SHBA, mëdyshin domosdoshmërinë e Marrëveshjeve, kanë gjithsesi validitetin e tyre, dhe asnjëherë nuk bën të mos mirren parasyshë. Mbi të gjitha, si në Prishtinë, ashtu edhe në Washington, me të drejtë, si ata që mbështesin, si ata që janë kundër bisedimeve dhe Marrëveshjeve, kërkojnë që pala tjetër të ofroj më shumë besim, më shumë siguri, më shumë prova dhe argumente që e ka ndërmend të ndryshojë politikën e vet, pos të tjerash, sepse bëhet fjalë për një interes afatgjatë të vetë këtyre shteteve. Por, duhet të ketë edhe shumëçka tjetër pos interesit themelor, për të qenë një Marrëveshje funksionale, apo që ajo të bëhet një fuqi lëvizëse e ndryshimit të raporteve të cilat me decenie të tëra kanë njohur armiqësi të mëdha, siç zatën është rasti me relacionet e Kosovës me Serbinë, apo edhe midis SHBA-së dhe Iranit.

Në te dy rastet, poshtu, bëhet fjalë për pasojat, si për të mirë, ashtu edhe për të keq, të cilat do të hetohen tej raporteve bilaterale. Poqëse Kosova dhe Serbia do të ecin në drejtimin e duhur në këto bisedime, me arritjen e pritur edhe të Marrëvshjes ndërkombëtarisht obligative dhe më pas, me njohjen reciproke, atëherë, kjo anë e Ballkanit do të jetë më e qetë, më e sigurtë, dhe të ofrojë shembull të mirë edhe në nivel të Evropës.

Dhe anasjelltas, natyrisht.

Është fare lehtë të bëhet përllogaritja e pasojave të mundshme të dështimit të këyre bisedimeve. Sikurse zatën është rasti edhe me hesapet që mund të bëhen nëse Marrëveshja e SHBA-së me Iranin nuk do të ecë para.

(Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)