Dy marrëveshje bashkëpunimi ekonomik Kosovë-Serbi

Aleanca Kosovare e Bizneseve ka nënshkruar dy marrëveshje bashkëpunimi, të parën me Qendrën Inovative Energjetike Teslianum, nga Beogradi, kurse marrëveshjen e dytë kryetari i AKB-së, Agim Shahini e ka nënshkruar me Odën Ekonomike të regjionit të Kragujevcit.

Lajme

18/05/2014 15:57

Këto marrëveshje të realizuara nga AKB me organizmat nga Serbia janë bërë me qëllim që prodhimet e Kosovës të jenë të pranishme në tregun e Serbisë dhe që ato të konsumohen nga qytetarët atje.

Në kuadër të vizitave që u realizuan në Serbi Shahini, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, si dhe përfaqësues të bizneseve të ndryshme nga Kosova, vizituan edhe Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, transmeton KosovaPress.

Delegacioni nga Kosova e ka njoftuar sekretarin e parë të Zyrës së Kosovës në Serbi, Amir Haziri, lidhur me vizitat, takimet dhe marrëveshjet në Beograd e Kragujevc.

Haziri ka vlerësuar lart realizimin e vizitës së parë të një delegacioni nga Kosova në Serbi. Ai ka çmuar lart edhe nënshkrimin e dy marrëveshjeve me qëllim që prodhimet nga Kosova të jenë në tregun serb për konsum.

Haziri ka treguar se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi po kryen misionin me sukses.