Dy lajme që na bënë fitues të gjithëve

Rreth dy lajmeve të mëdha, u bashkuan të gjithë në Kosovë, si qytetarët, ashtu edhe politikanët, si qeveritarët ashtu edhe opozitarët. Vështirë për të besuar. Por kështu është. Këtë e dimë të gjithë ne.

Lajme

04/05/2016 17:50

Dy lajme shumë të mira mbërritën në Kosovë për dy ditë.

Vështirë për të besuar. Por kështu është. Këtë e dimë të gjithë ne.

Diçka të tillë, nuk kemi pas këndejpari që prej 17 dhe 18 shkurtit të vitit 2008, kur një herë Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë, dhe pastaj, SHBA-të dhe shtetet më të mëdha perëndimore, njohën shtetin e Kosovës.

Kësaj të marte pra, Kosova arriti të inkuadrohet në UEFA. Së shpejti, do të hymë edhe në FIFA. Do të mund të luajmë futboll, si shtet, po ashtu, përmes ekipeve tona. Më në fund. Është çështje javësh kjo punë.

Këtë të mërkurë, Kosova mori Rekomandimin pozitiv të Komisionit Evropian për Liberalizimin e Vizave. Do të mund të udhëtojmë, si shtetas të Kosovës, nëse gjërat ecin ashtu siç është paraparë, pa viza, në gati të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian, për tre muaj.

Bërja apo prodhimi i këtyre dy ngjarjeve, i këtyre dy lajmeve të cilat në realitet, janë konfirmim i shtetësisë së Kosovës, ka kërkuar mund dhe punë që matet me decenie. Gjithsesi, ka kërkuar të jemi të durueshëm dhe njëkohësisht, të qëndrueshëm. Jemi zhgënjyer shumë herë në të kaluarën. Me apo pa të drejtë, kemi menduar që trajtohemi si një ‘dele e zezë’ e Evropës, që detyrat dhe obligimet që janë shtruar para nesh, veçmas në këtë segmentin e të drejtës për të udhëtuar lirshëm në Evropë, nuk i janë paraqitur asnjërit prej fqinjëve tonë. Por kohërat ndryshuan edhe në Evropë. Nuk është tani BE-ja që ka qenë më parë. Ajo ka gjithnjë e më pak vrull dhe optimizëm, gjithnjë e më shumë dyshim dhe dëshpërim. Megjithatë, as ne, por as Bashkimi Evropian, nuk kemi alternativë. BE-ja do të mbetet aty ku është, e ndryshuar me gjasë, ne do të hymë në BE, të ndryshuar gjithsesi.

Rreth këtyre dy lajmeve të mëdha, u bashkuan të gjithë në Kosovë, si qytetarët, ashtu edhe politikanët, si qeveritarët ashtu edhe opozitarët.

Vështirë për të besuar. Por kështu është. Këtë e dimë të gjithë ne.

Mund këtu të bëhen, me të shpejtë, dhjetëra pyetje. A kemi mundur të marrim disa vjet më parë Liberalizimin e vizave? Pse nuk kemi hyrë më para në UEFA? Dhe shumë pyetje të tjera, që na kthejnë prapa, aty ku realisht, nuk kemi më çka të kërkojmë.

Tash është rendi të bëjmë pyetje të natyrës tjetër, përgjigjet në të cilat, do t’i përgatisin qëndrimet tona, si shtet dhe si qytetarë, në respektimin e të drejtave dhe detyrimeve që dalin nga inkuadrimi i Kosovës në futbollin evropian dhe botëror, dhe nga udhëtimi i kosovarëve pa viza në Zonën e Schengenit.

Është folur edhe më parë për gjendjen e mjerueshme të infrastrukturës sportive në vend. Nuk ka më çka të pritet. Shteti duhet të harxhojë para për të krijuar ambient evropian për kombëtaret dhe ekipet që do të vijnë në Kosovë. Shteti, gjithashtu, nuk duhet të kursejë mund dhe para që përfaqësuesja e Kosovës, për pak vite, të mbërrijë atë që Shqipëria e bëri në dymbëdhjetë vitet e shkuara.

Te dy qëllimet janë të arritshme. Vetëm ky vrulli, emocioni dhe entuziazmi i ditëve të fundit, duhet të ‘përkthehet’ në zotim, në vullnet dhe në politikë të qëndrueshme.

Ama është e vërtetë që do ta kemi goxha vështirë të ndryshojmë, në qasjen tonë të përgjithshme, e cila shquhet me kalimin tepër të shpejtë nga zjarrmia e çastit në ethet e vazhdueshme të një dëshpërimi.

Ndërsa, kur bëhet fjalë për Liberalizimin e Vizave, këtu kemi të bëjmë me dy përgjegjësi të veçanta, por të cilat na bashkojnë në detyrën tonë për ta mbajt këtë të drejtë që na është dhënë.

Ne, si qytetarë, duhet të kuptojmë që abuzimi me të drejtën për të udhëtuar në shumicën e shteteve të BE-së, do të mund të ketë, për pasojë, humbjen e të drejtës për të gjithë qytetarët, për Kosovën si shtet. Pra, sërish fati individual dhe kolektiv janë të ndërlidhur. Këtë nuk duhet harruar.

Shteti në anën tjetër, duhet të tregohet shumë më i suksesshëm se deri tash, në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Objektivisht, ky është detyrimi kryesor i BE-së karshi nesh. Për më shumë, ky është obligimi më i veçantë, i të gjithë neve, karshi vetvetes, nëse njëmend duam Sundimin e ligjit.(Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)