Dy kadetë të FSK-së diplomohen në Akademinë Ushtarake të Gjermanisë

Kadetët e FSK-së, Art Sahiti dhe Dhurim Shemsedini, ditë më parë u diplomuan në Akademinë Ushtarake “Bundeswehr –Offizier Lehrgang” të Republikës Federale të Gjermanisë.

Lajme

27/12/2018 15:06

Kadetët e FSK-së i kanë përfunduar me sukses studimet trevjeçare në Akademinë Ushtarake më prestigjioze për logjistikë në Gjermani, ku edhe janë graduar në gradën nëntoger.

Siç bën të ditur Ministria e FSK-së, nëntogerët, Art Sahiti dhe Dhurim Shemsedini, pas kryerjes së Akademisë Ushtarake janë emëruar në detyra të reja në Brigadën e Mbështetjes Operacionale, në Departamentin e Logjistikës, pasi që edhe studimet i kanë mbaruar në këtë fushë.

Të dy nëntogerët e sapoemëruar në detyrë, u shprehen të kënaqur dhe shumë mirënjohës ndaj FSK-së që ju ofroi mundësinë për të studiuar në një shtet mik dhe të fuqishëm si Gjermania, e cila vazhdimisht ka kontribuar për Kosovën dhe në veçanti për FSK-në, duke e ndihmuar në të gjitha fushat si në fushën e arsimimit, trajnimeve, logjistikës (pajisje logjistike), mjekësore (pajisje mjekësore), transportit etj.

Akademia “Bundeswehr–Offizier Lehrgang” në Gjermani është e njohur për cilësinë e lartë të shkollimit në nxjerrjen e kuadrove profesionale dhe specialistike në degë të ndryshme ushtarake dhe në logjistikë. /Lajmi.net/