Dy futbollistë shqiptar në burg, kurdisën ndeshje

Drin Shala dhe Alban Shipshani janë dënuar me nga 8 muaj burg secili nga Gjykata Federale e Oslos pasi janë shpallur fajtorë për fiksimin e ndeshjeve në ligën e tretë të futbollit norvegjez.

Sport

30/04/2015 14:37

Kurdisjet e ndeshjeve në Norvegji kanë çuar pas hekurave dy futbollistë shqiptarë.

Drin Shala dhe Alban Shipshani janë dënuar me nga 8 muaj burg secili nga Gjykata Federale e Oslos pasi janë shpallur fajtorë për fiksimin e ndeshjeve në ligën e tretë të futbollit norvegjez. Së bashku me dy futbollistët shqiptarë gjykata ka dënuar me 6 muaj burg edhe lojtarin tjetër të Follos, Pape Mendy.

Drin Shala akuzohet se ka marrë pjesë në trukimin e ndeshjes së vitit 2012 mes Follos dhe Ostsiden. Takimi i vlefshëm për kategorinë e tretë norvegjeze edhe pse kryesohej me rezultatin 3:0 nga skuadra e Drin Shalës përfundoi me shifrat 4:3 në favor të Ostsiden.

Ndërkohë Alban Shipshani, i cili luan me skuadrën e Asker, akuzohet se ka ndikuar në fiksimin e rezultatit të sfidës të vlefshme po për kategorinë e tretë norvegjeze mes Asker dhe Frigg që përfundoi me fitoren 7-1 të këtyre të fundit. Edhe ky takim është zhvilluar në vitin 2012.

Gjykata Federale e Oslos pasi përgjoi telefonatat e bëra nga futbollistët gjatë asaj periudhe mori vendimin ekstrem për t’i dënuar me burg ata. Gjithsesi Drin Shala dhe Alban Shipshani nuk do ta lënë këtë çështje të mbyllet me kaq pasi kanë vendosur ta apelojnë vendimin e gjykatës.