Dy fjalë për Agim Zatriqin

Ish drejtori i Radiotelevizionit Publik të Kosovës, Agim Zatriqi, paska ndërruar jetë. Gjej rastin t’i shpreh ngushëlime familjes së tij! Dhe të them dy fjalë për Agimin: gjatë viteve 70 e 80, kur ka qenë star rinisë socialiste, funksionar e menaxher i lartë, nuk e kam njohur nga afër.

Opinion

27/10/2016 22:37

Ishte shumë lart në hierarkinë e pushtetit, ku nuk kishte si të arrinte opinga ime. Por, pas çlirimit të Kosovës, kur Bordi i Drejtorëve në të cilin isha anëtar e zgjodhi drejtor të RTK-së, kemi punuar disa vite bashkë. Për ato vite, sa kemi punuar bashkë në RTK, e kujtoj me respekt si një menaxher kreativ, të guximshëm dhe dinamik. Bile mund të them se në jetën time nuk kam njohur ndonjë menaxher shqiptar më dinamik se sa Agim Zatriqi. Kur kishte ngjarje, që duhej të mbuloheshin nga RTK-ja, ai rrinte deri në mesnatë në zyrë. Ndodhte që rrinte në zyrë, mes një tymi asfiksues duhani, edhe deri në mëngjes.

Më ka ngelur më së shumti në kujtesë fakti se nuk kishte inferioritet ndaj të huajve. Dinte t’ua bënte bajat me fjalë të forta e me tone të larta. Dhe disa herë ua kemi luajtë lojen mashtruesve ndërkombëtar, falë aftësisë së Agimit që t’ua zbulonte taktikat antiRTK, veçmas pas trazirave të vitit 2004. Këtë sukses e arrinte edhe për faktin se Agim Zatriqi ka qenë shembull i rrallë i njeriut të reformuar ideologjikisht, nga një komunist i bindur në një liberal mendjehapur. Shumica e të huajve nuk i rezitonin atij sharmi të tij liberal. Por, kjo i pati shkaktuar jo pak zavalle edhe me pjesëtarë të pareformuar të ish kastës komuniste, por i tejkalonte me barcoleta.

Në komunikimin privat e miqësor, Agimi ishte vërtet sharmant. Tregone shumë barcoleta. Ka barcoletë që e kam dëgjuar prej tij me dhjetëra herë, po kurrë bajat nuk të bëhej, sepse i tregonte me aq pasion sa më shumë më bënte përshtypje ai pasion se sa vetë barcoleta.

Shkoi nga detyra para mbarimit të mandatit, duke mbrojtur një qëndrim të vetin, por me një kokëfortësi të pakuptueshme e të pabesueshme. E pata lutur të mos e mbronte atë qëndrim me atë kokëfortësi, por ishte e kotë.

Pastaj, jo vetëm u largua nga detyra po edhe nga jeta publike. Si edhe shumë personalitete të tjera, në këto vite të hallakatura, kur mes nesh ka triumfuar injoranca dhe lakmia, Agimi u injorua dhe u harrua shpejt. Por, jam i bindur se ai nuk e ka ndjerë mungesën e njerëzve që të sillen nëpër këmbë, sepse ka qenë i tejngopur nga servilizmi e hipokrizia, që i janë prezentuar si gjoja respekt. Agimi ishte intelegjent dhe e dallonte hipokrizinë nga miqësia. Ndaj zgjodhi vetminë, si mesazh, që të na alarmojë se sa larg kemi shkuar në mohimin e kontributeve dhe vlerave të njerëzve tanë. E sigurt është një gjë: kjo RTK që kemi, si lider medial, në themelet e veta e ka kontributin vendimtar të Agim Zatriqit.