Dy bosët-Naser Kelmendi e Fahrudin Radonçiq

Kulla lëvizëse e Avazit mbi Sarajevë është selia e Fahrudin Radonçiqit, mogulit medial të fortë dhe të veshur me kujdes, i cili tani është duke konkurruar për postin e presidentit të Bosnjës.

Lajme

29/09/2014 16:31

Në anën tjetër të qytetit ngrihet një tjetër kullë e Radonçiqit, ajo e Hotelit “Radon Plaza”, në të cilën sipas aktakuzës së prokurorëve në Kosovë, në pranverën e vitit 2006 Radonçiqi u takua me disa mafiozë për të planifikuar vrasjen e gangsterit Ramiz “Celo” Delaliq. 

Prokurorët thonë se komplotistët ishin të nevrikosur me faktin se Delaliqi po merrte një pjesë të profiteve të tyre nga veprimtaria kriminale dhe me disa gjëra tjera. 

Në verën e vitit 2007 Delaliqi u vra me breshëri plumbash para një godine banesash në Sarajevë. 

Këto akuza dhe shumë pretendime tjera përshkruhen në aktakuzën 49-faqëshe të ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) në rastin kundër Naser Kelmendit, shqiptarit nga Kosova që ka jetuar për shumë vite në Kosovë dhe i cili vitin e kaluar e ka kaluar në burg në Kosovë, një vend ku ai nuk akuzohet të ketë kryer ndonjë vepër penale. 

Emrat e Radonçiqit dhe Kelmendit janë përmendur bashkë disa vite në të kaluarën, edhe në thashetheme edhe në marrëveshje afariste, por kjo aktakuzë për herë të parë deklaron qartë se Radonqiçi ishte ‘partner afarist dhe mbrojtës politik’ i Kelmendit në Sarajevë. 

Ai më 2009 themeloi partinë politike “Unioni për një të Ardhme më të Mirë në BiH” dhe po ashtu është themelues i gazetës së përditshme “Dnevni Avaz”. 

Prej vitit 2012 deri në mars të vitit 2014 ka shërbyer si ministër i Sigurisë në qeverinë e kryeministrit Vjekoslav Bevanda. 

Dokrra, ngulë këmbë Radonçiqi në intervistën e dytë që e dha për RPKOK/CIN. “Unë me Kelmendin jam takuar katër apo pesë herë në tërë jetën time”, tha ai. 

Si biznesmenë në një qytet të vogël si Sarajeva, ata patjetër se do takoheshin kohë pas kohe. Ai trumbeton faktin se ai nuk është ngarkuar me asnjë akuzë, por vetëm i është përmendur emri në aktakuzë si anëtar i një organizate kriminale, gjë që, sipas tij, nuk është e vërtetë. 

Prokurorët kanë kërkuar që Kelmendi të mbahet në paraburgim, për shkak të rrezikut që të ikë, ndikojë tek dëshmitarët, apo shkatërrojë dëshmitë. Aktakuza fokusohet në dy fusha kryesore: vrasjen e Delaliqit dhe atë që prokurorët thonë se ishte veprimtaria kryesore e Kelmendit mes viteve 2000 dhe 2012 – trafikimi i sasive të mëdha të drogës nga Afganistani dhe Turqia në Evropë. 

Gjykimi i Kelmendit pritet të fillojë në Kosovë në tetor kur koincidentalisht Radonçiqi shpreson të fitojë zgjedhjet presidenciale në Bosnjë. Prokurorët thonë se këta të dy kanë lidhje të interesit afarist dhe të veprimtarisë kriminale, përfshirë këtu edhe vrasjen e Delaliqit dhe se kjo gjë do të vërtetohet gjatë gjykimit. 

“Radonqiç dhe Kelmendi janë partnerë” 

Dëshmitare kyçe e kësaj aktakuze është Sejla Jugo Turkoviq, gruaja e mafiozit të dënuar Zijad Turkoviq dhe ish-gazetarja televizive e cila dikur ishte asistente e besuar e Radonçiqit. Në një intervistë që ajo dha për Projektin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PRKOK) dhe CIN-in ajo jep detaje mbi takimet dhe ngjarjet që rezultuan me vdekjen e Delaliqit. 

“Unë isha e përfshirë, isha e pranishme në të gjitha ngjarjet që lidhin Radonçiqin me Kelmendin”, thotë Turkoviq. 

Ajo thotë se di detaje mbi lidhjet e ndryshme afariste mes tyre. Ajo gjithashtu thotë se e di rrënjën e armiqësisë mes tyre dhe Delaliqit. “Konflikti i Naser Kelmendit dhe Fahros (Radonçiqit) me Ramiz Delaliqin nuk është shfaqur brenda natës. Ai ka zgjatur një kohë të gjatë.” 

Në anën tjetër, Radonçiq thotë se Turkoviq është duke gënjyer thjesht për shkak se është e martuar me një kriminel dhe dëshiron të largojë vëmendjen nga veprimtaria ilegale e bashkëshortit të saj. 

Aktakuza emëron edhe disa individë tjerë si anëtarë të grupit kriminal të Kelmendit dhe përshkruan pjesëmarrjen e tyre në akte të ndryshme kriminale. Nuk është e qartë përse aktakuza është ngritur vetëm kundër Kelmendit. 

Prokurorët nuk flasin shumë mbi planet e tyre. “Aktakuza përbën zbulim të plotë të fakteve të cilat i kemi dhe të tërë materies që duhet bërë e ditur. Aktakuza është ngritur nga PSRK-ja, prandaj ne do të vijojmë me shqyrtimin e rastit, porsa të jetë caktuar nga gjykata”, tha Jonathan Ratel, zëvendës kryeprokuror në PSRK. 

Në anën tjetër, Radonçiq kishte çfarë të shtonte. “Sejla Turkoviq ka paraqitur një sërë gënjeshtrash” lidhur me takimet në “Radon Plaza” dhe akuzat lidhur me komplotin për vrasje, Radonçiq tha për RPKOK/CIN gjatë intervistës së parë që e dha në zyrat e kullës së Avazit. 

Radonçiq u duk i agjituar teksa fliste, lëvizte pandërprerë dhe therte ajrin me një tregues për prezantime, kurdo që donte të theksonte ndonjë gjë. 

“Sejla Jugo Turkoviq është bashkëshortja dhe bashkëpunëtorja e ngushtë e Zijad Turkoviqit, udhëheqësit të organizatës më të madhe kriminale në histori të BeH-së,” tha ai. Pse, pyetet ai, nuk u ndjek ajo penalisht për pjesëmarrjen e saj apo ndihmën e dhënë për veprimtarinë kriminale të kësaj organizate?” 

Bashkëshorti i znj. Turkoviq u dënua vitin e kaluar me 40 vjet burgim për krim të organizuar, përfshirë vrasjet, kontrabandimin e narkotikëve, kërcënimin dhe shpëlarjen e parave. Muajin e kaluar gjykata e rrëzoi këtë vendim dhe urdhëroi rigjykim, ndërsa Zijad Turkoviq mbetet në paraburgim. 

Radonçiq thotë se Turkoviq duhet të ketë qenë dëshmitare e shumë aktiviteteve kriminale, duke qenë se ka jetuar me të shoqin, ndërsa ndaj saj ende nuk është ngritur asnjë akuzë. 

Mbase, ai thotë, asaj i është premtuar “se nuk do të ndiqej penalisht nëse jep dëshmi të rrejshme kundër meje.”

(Artikullin e plotë lexo në Gazeta Jeta në Kosovë)