Dy aktakuza për dhunë në familje në Gjilan

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur dy aktakuza, pranë Gjykatës Themelore në Gjilan, kundër të pandehurve E.I. dhe M.J., për shkak të dhunës në familje.

Lajme

26/09/2018 13:31

Në rastin e parë, i pandehuri E.I., gjatë muajit shtator të këtij viti, me dashje dhe me qëllim të shkaktimit të frikës, dhimbjes, shqetësimit, fillimisht fjaloset me bashkëshorten e tij, të dëmtuarën F.Z., pastaj e sulmon fizikisht duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit, derisa në mes tyre ndërhyn djali i tyre, i dëmtuari – i mitur R.I, të cilin po ashtu, i pandehuri e sulmon fizikisht. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale ‘’Sulm’’, nga neni 187 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, transmeton lajmi.net.

“Gjithashtu, i njëjti menjëherë pas tri ditëve dhe pa asnjë arsye e sulmon fizikisht edhe djalin tjetër të tij, të dëmtuarin V.I., gjersa në mes tyre ndërhyn e dëmtuara F.Z dhe i ndanë, me ç’rast i njëjti ka kryer veprën penale ‘’Sulm’’, nga neni 187 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, i njëjti nën ndikimin e alkoolit, ndaj bashkëshortes së tij ka ushtruar dhunë, e cila si pasojë e goditjeve të marra është detyruar të kërkojë ndihmë mjekësore në Spitalin Regjional në Gjilan. Në këtë mënyrë i pandehuri ka kryer edhe veprën penale ‘’Lëndim i lehtë trupor’’, nga neni 188 paragrafi 3 nënparagrafi 3.1 lidhur me paragrafin 1 nënparagrafi 1.4 të KPRK-së.

Në rastin e tjetër, i pandehuri M.J., në shtator të këtij viti, pas fjalosjes verbale me bashkëshorten e tij, të dëmtuarën F.J., e sulmon fizikisht duke i shkaktuar frikë, dhimbje dhe shqetësim emocional, me ç’rast ka kryer veprën penale ‘’Sulm’’, nga neni 187 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Gjithashtu, i njëjti, një ditë pas sulmit ndaj bashkëshortes së tij, të njëjtën e largon nga shtëpia e tyre dhe vazhdon duke e kanosur me fjalë edhe tek shtëpia e prindërve të saj, me ç’rast te e dëmtuara shkakton ankth dhe frikë të jashtëzakonshme. Me këto veprime, i pandehuri ka kryer edhe veprën penale ‘’Kanosje’’, nga neni 185 paragrafi 3 të KPRK-së.

Prokuroria Themelore në Gjilan, i ka propozuar Gjykatës kompetente në Gjilan, që në të dy rastet, pas shqyrtimit të gjithanshëm të provave, të pandehurit t’i shpallë fajtorë për veprat penale, të cilat i’u vihen në barrë dhe ndaj tyre të shqiptojë sanksione penale të parapara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. /Lajmi.net/