DvN: Në veri ka edhe të plagosur

Kryeziu ka thënë se në disa qendra votimi ka pasur ndërhyrje të grupeve të pa autorizuara, të shtëna armësh dhe se dyshohet që ka edhe persona të plagosur.

Lajme

03/11/2013 18:44

Sipas Demokracia në Veprim, deri në ora 16:00, votuan 35 për qind e qytetarëve.

Ismet Kryeziu nga Demokracia në Veprim ka thënë se deri në orën 16:00 në tërë territorin e Kosovës kanë votuar mbi 35 për qind e qytetarëve të Kosovës.

Sipas tij, ka pasur incidente në disa komuna të Kosovës, por që, sipas tij, gjendja më e rëndë në orët e pasdites mbretëron në veri të vendit.

Kryeziu ka thënë se tashmë vëzhguesit e Demokracisë në Veprim janë tërhequr nga veriu meqë ata ndihen të rrezikuar nga grupet ekstreme serbe.

Kryeziu ka thënë se në disa qendra votimi ka pasur ndërhyrje të grupeve të pa autorizuara, të shtëna armësh dhe se dyshohet që ka edhe persona të plagosur.

Ai ka thënë se vëzhguesit e DnV janë tërhequr nga veriu se Demokracia në Veprim nuk ka ndonjë informacion shtese se çfarë është duke ndodhur në veri të Kosovës.

Kryeziu ka thënë se shqetësuese gjatë gjithë ditës ka qenë votimi familjare dhe disa individë që kanë tentuar të votojnë disa herë

Sipas tij, vëzhguesit e DnV nuk kanë regjistruar asnjë rast kur ndonjë person ka votuar në emër të ndonjë personi të vdekur. /Kosovapress/