Dushi shpreh mbështetje për familjet e personave të pagjetur

Në kuadër të takimeve rreth përgatitjeve për hartimin e Strategjisë për fushën e Mjekësisë Ligjore, sot Zëvendësministri i Ministrisë së Drejtësisë, Florian Dushi, bashkë me Drejtorin e Institutit të Mjekësisë Ligjore Arsim Gërxhaliu, kanë takuar përfaqësuesit e shoqatave të familjarëve të personave të pagjetur, Bajram Qerkini, kryetar i Asociacionit të Shoqatave të të Pagjeturve dhe znj. Nesrete Kumnova, kryetare e Shoqatës “Thirrjet e Nënave”, Gjakovë.

Lajme

14/09/2016 15:26

Në këtë takim, përfaqësuesit e këtyre shoqatave, shprehen disa shqetësime lidhur me aktivitetet dhe angazhimin e përgjithshëm të institucioneve për zbardhjen e fatit të personave të rrëmbyer gjatë luftës në Kosovë si dhe lidhur me mbështetjen institucionale për familjet e personave të pagjetur.

Gjatë fjalës së tij, Dushi premtoi angazhim më të madh në këtë drejtim të institucioneve dhe veçanërisht të Ministrisë së Drejtësisë, por edhe një koordinim më të madh në mes të institucioneve relevante, përgjegjëse në këtë çështje siç janë, Ministria e Drejtësisë, Komisioni Qeveritar për Personat e Pagjetur dhe Grupi Punues për bisedime me Serbinë.

Dushi gjithashtu i njoftoi të pranishmit për fillimin e punës së grupit punues për hartimin e Strategjisë për Fushën e Mjekësisë Ligjore për shkak se përveç tjerash, me këtë Strategji do të përcaktohen saktë detyrat dhe roli i Institutit të Mjekësisë Ligjore në këtë proces por edhe sepse pjesë e kësaj strategjie do të jenë shumë çështje që ndërlidhen me personat e pagjetur./ Lajmi.net