Durrës: 5 nga të arrestuarit për drogë ishin biznesmenë

Të tjera arrestime priten pas zbulimit të një rrjeti trafikantësh droge në Durrës. Kultivuesit dhe transportuesit e kësaj droge jashtë kufijve shqiptarë pritet të dalin nga hetimet intensive që po zhvillon policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda në Durrës.

Lajme

18/10/2015 15:35

Edhe gjatë marrjes në pyetje të të arrestuarve është vërtetuar se kanabisi i bllokuar në këtë punishte droge kishte destinacion Italinë.

Të gjithë të arrestuarit, si edhe i shpalluri në kërkim, janë përgjuar për një kohë të gjatë. Prokuroria e Krimeve të Rënda do të paraqesë në gjykatë të hënën, kur të vlerësohet masa e sigurisë, tabulatet telefonike të përgjimit, ku rezulton se funksiononin si një grup i strukturuar kriminal për shitjen e kanabisit në Itali.

Goditja e këtij grupi është kryer gjatë momentit që po bëhej gati të paketohej sasia e radhe së drogës për t’u nisur drejt Italisë.

Policia, gjatë marrjes në pyetje, po tenton të mësojë më shumë për rrugën e kalimit të drogës drejt vendit fqinj, për të gjetur prova të tjera materiale në lidhje me korridorin që kishin krijuar dhe shfrytëzonin të akuzuarit.

Rrethi i të dyshuarve si të implikuar në këtë rrjet është më i madh se ai i të arrestuarve për faktin se droga ishte transportuar në zonën e ish-kënetës, ku ishte e vendosur punishtja e magazinimit dhe paketimit, nga Kruja dhe Shkodra. Në këto dy rrethe ishte kultivuar bima narkotike dhe i kishte shpëtuar shkatërrimit gjatë operacioneve policore të një muaji më parë në këto zona.

Ndërkohë, është mësuar se pesë nga të arrestuarit ishin biznesmenë që ushtronin aktivitetin në fushën e tregtisë së karburanteve, ndërtimit ose zotëronin lokale e restorante brenda dhe jashtë vendit./ Top Channel