Durant shpërblehet nga Golden State Warriors

Kevin Durant do të përfitojë, por edhe kohëzgjatjen e kontratës së re, nëse dëshiron për një vit, por ndoshta edhe për katër vjet.

Sport

12/06/2018 13:32

Jo vetëm Lojtari më i Mirë i finaleve të NBA-it, por një element thelbësor për të ardhmen e Golden State. Për të qëndruar te “Warriors”, me klubin që ishte detyruar të bënte disa shkurtime të shpenzimeve, verën e kaluar 29-vjeçari pranoi të hiqte dorë nga 10 milionë euro.

Tashmë, pas paraqitjes së jashtëzakonshme në finalet përballë Cleveland Cavaliers, Durant do të shpërblehet për sakrificën e bërë, me klubin që njoftoi se basketbollistit do t’i ofrohet rinovimi me çek thuajse të bardhë.

Ylli i “Warriors” mund të përcaktojë sipas dëshirës pagesën që do të përfitojë, por edhe kohëzgjatjen e kontratës së re, nëse dëshiron për një vit, por ndoshta edhe për katër vjet.

Sipas drejtuesve të Golden State, Kevin Durant e meriton të firmosë kontratën që dëshiron, sipas kushteve të cilat mund t’i vendosë ai vetë. Klubi ka shprehur dëshirën që basketbollisti ta mbyllë karrierën tek “Warriors” dhe negociatat nuk pritet të zgjasin shumë, transmeton “SS”.

Objektivi i Golden State është që të konfirmohen kampionë të NBA-it amerikan, me një grup lojtarësh thuajse të pandryshuar, ku Durant do të jetë një prej elementëve kyç, përkrah Steph Curry, Klay Thompson apo Draymond Green dhe Andre Iguodala.