Dukën nuk e kënaqën dy golat ndaj Lihtenshtejnit, kërkonte më tepër

Disa mund ta cilësojë formalitet fitoren me Lihtenshtejnin. Dikush tjetër mund të kërkonte sukses me goleadë.

Sport

02/09/2017 23:49

Por, presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka analizoi përse shifrat 2-0 mund të cilësohen të kënaqshme për Kombëtaren shqiptare, ndërsa foli edhe për atë diçka më tepër që do të preferonte nga ekipi.

Armand Duka

Duhet të jemi të kënaqur me kaq sa bëm. Asnjë kundërshtar nuk është i lehtë, por nëse ke mundësi të shënosh më tepër përse jo. Por, në shtator, kur lojtarët vijnë nga lodhja e përgatitjeve dhe kur kundërshtari luan shumë mbrapa, në përgjithësi duhet të jemi të kënaqur me këtë që kemi arritur.

Për të qenë i sinqertë, do të doja pak më tepër agresivitet në minutat e para. Por, kur përfundimi është pozitiv nuk ke çfarë të thuash më tepër.

Presidenti Duka foli edhe për trasfertën e 5 Shtatorit në Maqedoni. Duel që e cilëson vetëm ndeshjen e radhës, duke preferuar që të gjithë ta shohin brenda kornizave të lojës dhe për të cilën beson se Shqipëria do të marrë rezultat pozitiv.

Armand Duka

Në Maqedoni na pret ndeshja e radhës, një ndeshje si të gjithë të tjerat, me të cilën duhet të bëjmë maksimumin për të marrë tre pikë. Skuadra do të shkojë për të luajtur futboll dhe nuk dua të mendoj asnjë diskutim tjetër, përse ndeshja luhet në Strumicë, apo diskutime të tifozëve. Nëse skuadra do të hyjë në mënyrë profesionale dhe do të japë maksimumin jam i sigurt që skuadra do të kthehet me rezultat pozitiv.