Duka zbulon kush e zgjodhi Panuccin për selektor të Shqipërisë

Gianni De Biasi nuk e ka këshilluar presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka për emërimin e Christian Panuccit.

Sport

20/07/2017 10:03

Gianni De Biasi nuk e ka këshilluar presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, asnjë emër për postin e trajnerit të Kombëtares shqiptare. Italiani ka zbuluar se nuk kishte “hyrë mik” për asnjë prej kandidatëve, pasi i besonte plotësisht instinktit të Dukës.

“Të sqarojmë diçka. Nuk i këshillova askënd presidentit, por ai më tha që takoi disa trajnerë. Më tha që prej herës së parë kur u takua me Christian Panuccin, ai i kishte lënë menjëherë përshtypje. Përpos futbollit, presidenti ka një eksperiencë të madhe dhe di t’i vlerësojë njerëzit me mjaft kujdes. Nëse zgjodhi Christianin, ka parë tek ai cilësi për sa i takon menaxhimit të grupit, të situatave por edhe të eksperiencave që ka pasur në karrierë”, tha de Biasi për “SuperSport”.

“Personalisht uroj që Panucci ta kualifikojë Shqipërinë në Evropianin 2020. Ka dëshirë dhe besoj që ka një grup lojtarësh të nivelit të mirë. Mendoj se do të jetë në gjendje ta menaxhojë me qetësinë e nevojshme. Christian është një person inteligjent. Ka nisur menjëherë të njihet me lojtarët, duke vëzhguar shumë ndeshje të tonat. Do të vijë të më takojë, që të diskutojmë”, shpjegoi ai.

Ndërkohë, vetë De Biazi vazhdon pushimet, në pritje të një oferte, pasi për momentin nuk ka finalizuar asgjë me Australinë. “Këto ditë po bëj disa ditë pushime. U largova nga Shqipëria, pa pasur një skuadër konkrete në horizont.

Pak ditë më parë u takova me përfaqësuesen e Australisë dhe vendimi merret pas shtatorit. Kam pasur disa biseda të tjera, por ndërsa skuadrat paraqiten mirë, unë vazhdoj të jem me pushime”, tha ai.