Duka: Kjo ishte arsyeja e zëvendësimeve të De Biasit

Armand Duka deklaroi se ndërrimet e kryera nga trajneri i Kombëtares, Gianni de Biasi në ndeshjen e mbrëmshme ndaj Francës ishin të detyruara dhe jo taktike.

Sport

17/06/2016 09:00

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, deklaroi se ndërrimet e kryera nga trajneri i Kombëtares, Gianni de Biasi në ndeshjen e mbrëmshme ndaj Francës ishin të detyruara dhe jo taktike.

Komenti i tij vjen pas disa pikëpyetjeve të ngritura në media dhe në rrjetet sociale për aktivizimin e Veselit ndaj Francës.

Në një intervistë për “TCH” mbrëmjen e së enjtes, Duka tha se diferencën në fushë e bëri edhe pesha e lojtarëve. Sipas tij, tre zëvendësimet e kryera nga Deschamps kanë një vlerë prej 250 milionë eurosh.

Kreu i FSHF- foli edhe për surprizat që i rezervuan trajnerit të Kombëtares me rastin e 60-vjetorit të ditëlindjes së tij, si dhe foli për përgatitjet ndaj Rumanisë.

Pjesë nga intervista e Dukës në “TCH”:

Me çfarë gjendjeje shkojmë tani me Rumaninë

Me atë që kam biseduar me skuadrën, ne jemi goxha të kënaqur me atë që ekipi jonë ka bërë në fushë. Nuk mund të kemi pishmanllëqe. Ky ishte maksimumi i ekipit, bënë gjithçka mirë, nuk arritën të merrnin pikë, por duhet të kujtojmë se ishin ndaj një kundërshtari shumë të fortë. Nuk duhet të jenë të mërzitur, por duhet të shohin përpara. Ekipet janë të forta dhe ndeshjet janë pak, kështu që duhet të marrësh anën pozitive për të shpresuar në një kualifikim të mundshëm

Çfarë ju mbeti peng në këtë ndeshje?

Nuk dua të kujtoj 15 minutat e para me Zvicrën në të cilët ekipi ynë pati një mbingarkesë emocionale dhe pjesa tjetër ka qenë një pjesë e mirë. Jam shumë i kënaqur nga puna që kanë bërë, nga impenjimi i tyre.

Besoj se paraqitja e ekipit është për të na bërë krenar. Kemi dhënë maksimumin. Kemi treguar edhe me tifozërinë tonë qoftë në Lens, qoftë në Marsejë… i gjithë shtypi botëror ka folur për tifozërinë.

A ka pasur biseda me De Biasin, nga ato që mund të bëhen të lirshme me pak konjak para… planet e tij?

Konjaku është i përjashtuar këtu. Këtu ka vetëm ujë dhe dietë. Kohën kaloj me stafin. Kohën e konsumojmë për këtë aktivitet. Pas çdo ndeshjeje kalojmë te një tjetër.

Dhurata për De Biasin?

Kemi bërë një festë familjare këtu me stafin. Kemi bërë një tortë me simbole shqiptare, me shqiponjën dhe kemi kënduar këngën e zakonshme. Dhe vetë çunat i thanë që kishin dëshirë ti jepnin një rezultat të madh me Francën, por nuk arritën.

Franca bëri tre ndërrime dhe vlera ishte 250 milionë euro me tre lojtarë. Ajo që na ka sjellë këtu është kolektiviteti dhe lidhja që ka ekipi me fanellën.

Koha, mënyra që u bënë ndërrimet ishin të detyruara. Xhaka për Kukelin dhe Veseli për Ajetin ishin të detyruara.

Parashikoni ndeshjet e EURO 2016 dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 6S dhe Samsung Galaxy Note 4.