Duka flet për Panuccin

Përtej opinionit të përgjithshëm, Christian Panucci e ka kaluar fazën e provës edhe zyrtarisht.

Sport

13/10/2017 18:06

Konfirmimi vjen nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili është i bindur se trajneri i ri ka bërë mirë, sidomos në dy ndeshjet e fundit.

“Jam i kënaqur nga stafi teknik në përgjithësi. Sigurisht ka pasur edhe gabime të vogla, por në tërësi këto eliminatore ishin maksimumi. Asnjëherë Shqipëria nuk ka arritur të jetë në vendin e tretë në eliminatoret e një botërori”, deklaroi kreu i FSHF-së.

Megjithatë, gjithçka sa u përket eliminatoreve duket të jetë mbyllur këtu, pasi objektiv i radhës i vendosur nga Federata Shqiptare e Futbollit për stafin e ri të udhëhequr nga Christian Panucci do të jetë kualifikimi për në evropianin “Euro 2020”.

“Tashmë do të ketë dy rrugë për t’u kualifikuar për në finalet e evropianit të ardhshëm nga Liga Nacionale dhe eliminatoret e evropianit. Synimi ynë kryesor do të jetë kualifikimi për në kampionatin evropian”, u shpreh ai, raporton TCH.

Vitin e ardhshëm starton Liga e Kombeve, ku Shqipëria gjendet në vazon C, dhe kjo për kreun e FSHF është një shans për të qenë sërish prezentë në Evropian, por edhe një mundësi për të aktivizuar më tepër lojtarë për shkak të programit të ngjeshur.

“I kam hedhur një sy ndarjes së grupeve dhe mendoj se objektivi Shqipërisë është jo grupi C, ku gjendemi, por grupi B. Në asnjë rast nuk mund të mendojmë të jemi në C. Ne kemi mundësi reale për të marrë pjesë në mënyrë të vazhdueshme dhe në ndonjë rast në Botëror. Ndeshjet e fundit kanë konfirmuar se Shqipëria është ekip I fortë dhe kompetitiv. Ndoshta do të na duhet të aktivizohen më tepër lojtarë”, theksoj Duka.