Duhet kohë për shuarjen e paralelëve

Fatmir Xhelili thotë se Policia e Kosovës nuk është fajtore për dështimin e sigurisë në veriun e Mitrovicës. Sipas tij, EULEX është përgjegjës për të ofruar siguri atje. Xhelili pret që strukturat e MUP shumë shpejt të integrohen në Policinë e Kosovës.

Lajme

09/11/2013 09:00

Organet e rendit dhe të sigurisë janë etiketuar si përgjegjëse për dështimin e në Veriun e Mitrovicës ditën e zgjedhjeve, më 3 nëntor.

Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë kritikuar institucionet vendore e ndërkombëtare të sigurisë se nuk kanë qenë të aftë që të ofrojnë siguri në zgjedhjet e 3 nëntorit, në Mitrovicën e Veriut, kur persona të maskuar kishin demoluar kutitë e votimit në shkollën “Sveti Sava”.

Anëtari i Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri në Kuvendin e Kosovës, Fatmir Xhelili, thotë për lajmi.net se Misioni Europian për Sundimin e Ligjit (EULEX) është përgjegjës për të ofruar siguri në Veriun e Kosovës dhe rrjedhimisht, përgjegjësia për 3 nëntorin duhet t’i takojë këtij Misioni.

“Mund të them që komponenta e EULEX`it ndoshta e ka neglizhuar situatën dhe nuk kanë bërë ndonjë analizë parashikuese të mirë, ose nuk kanë qenë të informuar drejt, edhe pse në analiza parashikuese gjithmonë kemi pritur që të ndodhin kohë pas kohe incidente edhe në ditën e zgjedhjeve”, thotë deputeti i PDK’së, Fatmir Xhelili.

Prandaj, ai e ka të qartë se kujt i ka mbetur faji për situatën e krijuar, kur një grup i vogël njerëzish të maskuar morën ligjin në duart e tyre dhe shkatërruar një proces të pritur gjatë.

“Është një shprehje e popullit tonë që faji gjithmonë është jetim dhe nuk ka adresë të caktuar. Mirëpo, është përgjegjësi e sigurisë publike në pjesën veriore, është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e komponentës së policisë të EULEX`it”.

Ai e ka të paqartë se pse po e lënë fajtore Policinë e Kosovës, kur dihet që ky institucion nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të vepruar në atë pjesë të vendit.

Sipas Xhelilit, i cili një kohë ka qenë edhe ZëvendësMinistër i Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës ka mundur të kërkojë përforcime nga pjesa jugore, por ai nuk e di pse nuk e ka bërë një gjë të tillë.

“Është çuditërisht interesante që komponentët ndërkombëtarë gjithmonë e vlerësojnë me një rrezikshmëri shumë të lartë atë pjesë, edhe pse komponentët vendorë por edhe unë personalisht kurrë nuk e vlerësoj që ka pasur rrezikshmëri të lartë”.

Sipas tij, shumë lehtë ka pasur mundësi që efektivat e Policisë së Kosovës ta zgjidhnin situatën, së bashku me kolegët e tyre nga EULEX’i.

Ai pret që më 17 nëntor, ditën kur do të mbahet votimi i përsëritur në tri vendvotimet problematike në Veri, të shtohet prania fizike e Policisë së Kosovës.

Xhelili nuk dyshon në aftësinë e këtij trupi të sigurisë për të siguruar zgjedhje të qeta.

Një tjetër pikë e nxehtë që vazhdon të diskutohet dhe që është njëra ndër pikat kryesore për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit është shuarja e strukturave paralele.

Vullneti i Serbisë për ta përmbyllur këtë pikë të marrëveshjes deri më tani ka qenë minimal dhe një varg afatesh kohore janë shkelur ndërkohë.

Por, Xhelili nuk preferon që të lidhet me afate kohore.

“Për afat kohore nuk isha lidhur, mirëpo gjërat do të shkojnë në atë drejtim me vetë faktin që edhe qytetarët serbë të asaj pjese janë vetëdijesuar që do të integrohen në institucione të Kosovës dhe do t`i aplikojnë ligjet e Kosovës”.

“Unë pres që do të bëhet integrimi i pjesëtarëve të ish-MUP`it që i plotësojnë kushtet për t’u integruar në Policinë e Kosovës”.

Sipas Xhelilit, nuk është e lehtë të ndodhë një proces i tillë. Ai nuk parashikon një datë caktuar, mirëpo thotë se “kjo do të ndodhë shumë shpejt”.

“Duhet të jemi të vetëdijshëm që edhe ata kanë peripeci. Nuk e kanë lehtë. Edhe ata mund të kenë kërcënime të ndryshme, shantazhe të ndryshme. Nuk e kanë lehtë që të kalojnë në një gjendje emocionale prej asaj që janë pajisur dhe bombarduar për kohë të gjatë që Kosova ka qenë djep i Serbisë”, thotë Xhelili për lajmi.net.