Duhani vret xhepin

Komisioni për Buxhet dhe Financa mbështeti vendimin e Qeverisë për rritjen e akcizës së duhanit. Ministri Beqaj thotë se kjo do të ndikojë pozitivisht në buxhet.

Lajme

27/09/2013 12:09

Komisioni Parlamentar për Buxhet dhe Financa i ka dhënë dritën jeshile Qeverisë së Kosovës për ndryshimin e normës tatimore të akcizës për duhanin. Të gjithë anëtarët e këtij komisioni sot njëzëri u pajtuan që nga 1 tetori akciza për duhanin të rritet.

Nga 1 tetori 2013 norma e akcizës për duhanin nga 27 euro për njësi pritet të rritet në 30 euro, ndërsa nga 1 janari 2014 kjo normë do të rritet nga 30 euro në 32 euro për njësi .

Ministri i Financave Besim Beqaj para anëtarëve të komisionit ka thënë se do të ketë rritje buxhetore por gjithashtu nuk do t`i lë hapësirë kontrabandimit.

“Realisht Kosova është vendi me taksën më të ulët në tërë rajonin sa i përket akcizës së cigares”.

“Kjo do të ketë ndikime buxhetore pozitive por do të ketë ndikime edhe në vazhdën e implementimit të ligjit për duhanin i cili realisht është aprovuar dhe është duke u implementuar  me rezultate relativisht të mira”.

“Ky është një vendim i cili konsiderojmë që ka efekte për baraspeshimin të cilin ne duhet ta bëjmë në nivel rajoni në mënyrë që të eliminohet edhe evazioni fiskal”.

“Ne nuk presim që çmimet me pakicë të ndryshojnë për shkak se normat të tilla të akcizës. Në tërë rajonin janë më të larta dhe çmimi i shitjes së pakos për cigare në nivel të tregut është e barabartë me Kosovën”.

“Prandaj presim që kjo mos të bartet nga qytetarët por presim që të bartet nga prodhuesit”.

Gjithashtu përkrahje i ka dhënë edhe anëtari i këtij komisioni Sali Asllanaj por ka pasur një propozim

“Do të ishte e justifikueshme dhe e pranueshme për qytetarët dhe çdo kënd nëse një pjesë e këtyre mjeteve të akcizës dedikohen për luftën kundër kancerit , luftën kundër sëmundjeve të ndryshme të cilat kanë lidhje me efektet negative të duhanit”.

Hikmete Bajrami nga LDK e ka përkrahur këtë vendim mirëpo pati disa kritika për Qeverinë.

“Zakonisht institucionet tona kur propozojnë ngritje të taksave gjithmonë bëjnë krahasime me vendet e rajonit, mirëpo kur flitet për pensionet, pagën mesatare, pagën minimale atëherë ne justifikohemi se kemi një buxhet të vogël “.