Dueli në Presidencë

Dueli Vetëvendosje vs KQZ po vazhdon në Presidencë. Pas ankesës së Valdete Dakës kundër Adnan Rrustemit, edhe Vetëvendosje është ankuar te Presidentja kundër Dakës. Zyrtarë të Presidencës thonë se një qëndrim do të merret pasi të shqyrtohen të dy ankesat.

Lajme

28/09/2013 05:30

Për Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, kjo ka qenë një javë e ngarkuar me çështje që kanë të bëjnë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Kur kanë mbetur vetëm pesë javë deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale, ky Komision është zhytur në telashe.

Pak ditë pasi Presidentja Jahjaga e kishte marrë dhe ishte duke e shqyrtuar një ankesë të ardhur nga Kryesuesja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për sjelljet e anëtarit të KQZ’së nga Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, është Vetëvendosje e cila është ankuar me shkrim te Zyra e Presidentes kundër Valdete Dakës.

Zëdhënësi i Presidencës, Arbër Vllahiu, ka konfirmuar për lajmi.net se Vetëvendosje ka dërguar një letër në Zyrën e Presidentes me të cilën kritikon Kryesuesen e KQZ’së.

“Po shqyrtohen të gjitha kërkesat dhe ankesat që kanë ardhur në Zyrën e Presidentes nga Kryetarja e KQZ’së dhe Vetëvendosje. Pasi të shqyrtohen ato, do të jepet një qëndrim”, ka thënë zëdhënësi Vllahiu.

Kërkesa e Vetëvendosjes vie pak ditë pasi Daka kishte dërguar në Presidencë një kërkesë të veten që Presidentja t’i shqyrtojë sjelljet e anëtarit të kësaj Lëvizjeje Adnan Rrustemi brenda mbledhjeve të KQZ’së.

Një burim i lajmi.net kishte treguar se Valdete Daka nuk ka kërkuar decidivisht shkarkimin e Rrustemit, por, në njëfarë mënyre, e ka nënkuptuar një kërkesë të tillë.

Konflikti Daka-Rrustemi ka nisur të martën gjatë mbledhjes së KQZ’së kur ky i fundit po insistonte që në rend të ditës të futej një pikë që kishte të bënte me listën e votuesve, e cila nuk qe pranuar nga anëtarët tjerë të Komisionit.

Teksa po diskutonin për çështjen e listës së votuesve në KQZ, debati Rrustemi-Daka kishte degjeneruar në atë që u vlerësua si kërcënim.

“Ti veç je femër, se kurrë në jetën tënde nuk kishe guxu në këtë mënyrë me m’u drejtu”, i kishte thënë Rrustemi kryesueses së KQZ’së.