Droni me flamurin shqiptar u nis nga kisha serbe afër stadiumit

Tashmë i pagëzuar si dron (fluturake pa pilot), që në fakt ishte më shumë një mini helikopter, fluturakja me flamurin shqiptar ka “mbërritur në stadiumin e Partizanit të Beogradit gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri, pasi ishte lansuar nga kupola e kishës serbe të Arhangjelit të Shenjtë në Beograd. 

Lajme

15/10/2014 19:44

Sipas priftit të kësaj kishe, kryesi i këtij provokimi e ka vendosur dronin në kupolën e kësaj kishe duke u ngjitur me litar deri në kupolën qendrore!

Ndonëse nuk ofron sqarim të incidentit të mbrëmshëm, kreu i kësaj kishe, Ilija Shmigiq u përpoq të sqarojë për gazetën Blic të Beogradit se si ka ardhur deri te vendosja e dronit, transmeton lajmi.net.

“Dikush sipas të gjitha gjasave është ngjitur nëpër rrufepritës, ku ekzistojnë shkallët, kurse pastajme litar të shtrënguar për kryqin e kishës, është ngjitur deri në majë.  Litarin e varur për kryq e kemi gjetur sot në mëngjes. Kisha mbyllet rreth orës 19 dhe kjo vendosje e dronit në kupolë me siguri nuk është bërë derisa ne kemi qenë aty.  Nuk kemi as drita, as video-mbikëqyrje, ndonëse këtë e kemi kërkuar disa herë”, tha Shmigiq, duke shtuar se inventari i kishës nuk është dëmtuar aspak.

Sipas tij, kjo ndërmarrje nuk ka mundur të planifikohet dhe të bëhet për një ditë, por ai mendon se aksioni është planifikuar disa javë më herët.

Sipas gazetës serbe, ekipi i saj në bulevardin afër kishës dhe stadiumit ka hasur në mbishkrime fyese, në të cilat shkruhet UÇK. Sipas kësaj gazete nuk dihet nëse organizatorët e provokimit të mbrëmshëm e kanë “vizituar” edhe këtë objekt!