Droni ambulancë që do të shpëtonte mijëra jetë

Një prototip i një avioni të telekomanduar ambulancë është zbuluar kohët e fundit, dhe krijuesi i tij beson se kjo pajisje do të shpëtojë mijëra jetë njerëzish.

Fun

29/10/2014 16:00

Droni, i cili u dizajnua nga Alec Momont në Universitetin Teknik Delft në Holandë, peshon rreth 4kg dhe mund të fluturojë me një shpejtësi prej 100kmh.

Dhe z.Momont, i cili planifikon që ta zgjerojë këtë infrastrukturë urgjente mjekësore duke i përfshirë këta dronë, thotë se rrjeti i këtyre pajisjeve do të rriste mundësinë e mbijetesës nga ataku kardiak nga tetë për qind deri në tetëdhjetë, transmeton Lajmi.net.

‘Ka ende disa pengesa në zhvillimin e mëtejshëm të dronit ambulancë’, tha ai.

Avioni i telekomanduar mund të fluturojë në mënyrë të pavarur, por kjo nuk është momentalisht e lejuar me ligj. Një rregullim i ligjit në këtë fushë pritet të bëhet në Holandë në vitin 2015.

Droni nuk është testuar ende me pacientë ‘të vërtetë’ dhe duhet të bëhen disa përmirësime teknike në të, transmeton Lajmi.net.

Pas një telefonate urgjente, droni do të përdorte GPS-in e celularit të atij që ka thirrur dhe do të shkonte direkt në vendin e ngjarjes, duke përdorur një transmetues me video dhe audio lidhje për të siguruar reagime dhe udhëzime për njerëzit e pranishëm aty.

Përderisa planet e z.Momont janë ambicioze, ai beson se këto plane do të përmbushen brenda pesë viteve.