Dronë për të studiuar vullkanet

Studimi i vullkanëve nga afër dhe filmimi i tyre nuk është punë për njerëz me zemër të dobët. Por edhe ata guximtarë kanë një kufi se deri ku mund t’i afrohen “përbindëshave” të zjarrtë.

Fun

12/04/2017 23:02

Fatmirësisht, teknologjia ka bërë të mundur që të jesh kilometra larg vullkanit, por të kesh mundësinë thuajse ta prekësh me dorë.

Studiuesit nga Universitetet e Bristolit dhe Kembrixhit përdorën për herë të parë dronët për të filmuar dhe studiuar një vullkan në Guatemalë, mbi të gjitha shpërthimet e tij të dhunshme që mund të rezultonin fatale për njerëzit nga kaq pranë.

Dronët e shkencëtarëve fluturuan deri në lartësinë 3.700 metra të malit me emrin e përshtatshëm “Vullkani i zjarrit”, i cili shpërthen 3 deri në 4 herë në javë. Tymi dhe pluhuri vullkanik që ai nxjerr kërcënon në mënyrë të vazhdueshme jetën e rreth 60 mijë njerëzve që jetojnë rreth tij.

Përdorimi i dronëve bëri të mundur që shkencëtarët të masin temperaturën dhe lagështirën fare pranë vullkanit, si dhe të grumbullojnë të dhëna termale brenda reve vullkanike. Ata thonë se të dhënat do t’i ndihmojnë të kuptojnë më mirë vullkanet dhe, në mos të parashikojnë shpërthimet e tyre, të paktën të ndihmojnë njerëzit të përgatiten më mirë për to.