Drogë në pikën e Kapshticës, arratiset poseduesi

Policia në pikën kufitare të Kapshticës ka shpallur në kërkim një 32 vjeçar, pasi u kap në përpjekje për të kaluar kufirin me një sasi lënde narkotike, por që arriti t’i shpëtonte policisë.

Lajme

18/02/2016 11:10

Burime policore lokale bëjnë me dije se shtetasi Jurgen Memini u kap me drogë në automjetin e tij tip “Benz” me targë “AA 009 AU”.

Zbulimi i drogës është bërë në momentin kur automjeti po kontrollohej me skaner nga agjentët e doganës dhe sapo 32-vjeçari e ka vënë re që është zbuluar droga ka bërë mbrapa me automjetin e tij dhe është arratisur.

Sipas burimeve, Memini është larguar drejt Bilishtit dhe gjatë arratisjes së tij ka vënë në rrezik edhe jetën e agjentëve të policisë.

Në automjetin e tij është gjetur mbi 11 kg lëndë narkotike e llojit kanabis, e cila është sekuestruar bashkë me dokumentat e identifikimit të tij.

Aktualisht, uniformat blu janë angazhuar në një operacion kërkimi me qëllim arrestimin e tij, shtojnë më tej burimet./ Top Channel