Drogë e Dajak në Shkolla

Nxënësit rrihen nga arsimtarët. Ofendohen nga ta me gjithfarë epitetesh. Por asnjëra palë, madje as prindërit, nuk dinë ta definojnë se çka përbën dhunë. Nxënësit dërgohen në shkollë për të mësuar, por çka marrin nga to? IKS publikoi sot një raport shqetësues.

Lajme

18/12/2013 14:02

Tërheqja e veshit, shkulja e flokëve, shuplaka, goditja në kokë- zakonisht me stilolaps apo dhe me ndonjë mjet tjetër- ose dhe tërheqja e zylyfeve, janë vetëm disa prej formave të ndëshkimit që arsimtarët u bëjnë nxënësve.

E kur nuk përdorin dhunë fizike, atëherë u drejtohen me fjalë ofenduese si: budalla, trullan, majmun, idiot, kali, etj.

Këto gjetje dalin nga raporti i Iniciativës Kosovare për Stabilitet (IKS), në hulumtimin e tyre të bërë për dhunën e fëmijëve në shkolla.

Edona Krasniqi prezantoi të gjeturat e këtij raporti që është bërë me anketimin e fëmijëve prej moshës 11-15 vjeçare.

Në anketim janë përfshirë edhe arsimtarët dhe prindërit.

Krasniqi tha se shqetësuese mbetet se fëmijët nuk dinë të definojnë dhunën.

 

“Ne kemi biseduar me prindër dhe me arsimtarë, dhe kur i kemi pyetur që ta definojnë dhunën shumica e prindërve nuk e kanë perceptuar që dhunë është ndonjë shuplakë, apo ndonjë e sharë. Po ashtu edhe fëmijët nuk e kanë perceptuar që këto janë akte të dhunës”.

Ky raport është ndarë në dy pjesë, në dhunën në klasë- dhuna që shkaktohet nga arsimtari në nxënës- dhe dhuna në oborr- dhuna e ushtruar në mes nxënësve.

Fëmijët e anketuar kanë treguar se dhuna është e pranishme në baza ditore, ndërkaq ata kanë raportuar gjithashtu se prania e thikave nëpër shkolla është e madhe.

Një gjetje shumë shqetësuese, thotë Edona Krasniqi  është se  në dy shkollat fillore të kryeqytetit, shitet droga.

“Në dy shkolla ne na kanë treguar shumica e  nxënësve se ku mund të blejnë mariuhanë. Kanë thënë se është diçka që e dinë. Edhe arsimtarët kanë thënë se e dinë. Konkretisht kjo ka qenë në shkollat Gjergj Fishta dhe Elena Gjika në Prishtinë”.

Drejtoresha Ekzekutive e IKS ngriti shqetësimin e mos llogaridhënies për performansën e dobët të shkollave. Ajo thotë se në performansën e dobët ndikon edhe emërimi politik i drejtorëve.

“Performansa e shkollave drejtpërdrejtë i atribuohet Kryetarit të Komunës. Siç kemi parë, nuk ka pasur asnjë kërkim llogarie për performansën e shkollave”.

“Në performansën e shkollave problem të madh paraqet edhe politizimi i emërimit të drejtorëve”.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës Suzan Novoberdali, si Kryetare e Komisionit Parlamentar për Të Drejtat e Njeriut tha se nëse krahasohen shkollat private dhe publike, ka dallim të madh tek dukuria e dhunës.

“Kjo dukuri negative në shkolla ekziston. Vetëm nga raportet e policisë të vitit të kaluar kemi 351 raste të raportuara të dhunës në shkolla”.

“Nëse i krahasojmë shkollat private në raport me shkollat publike, atëherë del që në shkollat private ka shumë më pak dhunë ose nuk ka fare. Te këto shkolla ekziston një kontroll dhe nuk mund të hyjë kushdo dhe ata punojnë me fëmijë”.

“Psikologët duhet të jenë në grupin apo ekipin e vetëdijesimit të fëmijëve për dhunën dhe për raportimin e saj”.

Ndërkaq, Besim Kajtazi nga Zyra e Kryeministrit, njëherësh edhe pjesëmarrës në hartimin e projektligjit për mbrojtjen e fëmijëve , informoi se është duke u bërë punë e mirë në hartimin e saj.

“Ne jemi në fazën finale të përgatitjes së një projektligji për mbrojtjen e fëmijëve, një projektligj që kemi shkuar në konsultime të gjëra publike”.

“Nuk jemi ngutur që të bëjmë një ligj sa për të shtuar numrin e ligjeve, por për të pas një ligj që ndihmon në mbrojtjen e fëmijëve, përmes krijimit të një kornize edhe ligjore dhe institucionale, që do të mundësonte zbatimin e Konventës së Mbrojtjes së Fëmijëve”, ka thënë Besim Kajtazi.