Drogë, çokollatë, kallashnikovë dhe fishekë, arrestohet grupi shqiptar

Gjatë një operacioni të policisë greke janë sekuestruar marihuanë, hashash çokollatë, peshore elektronike, celularë, armë, fishekë dhe një makinë.

Lajme

23/09/2018 20:19

Droga dhe municionet janë sekuestruar në banesën e një çifti shqiptar, mashkulli 38-vjeç dhe femra 36-vjeçe në Keratsini.

Sipas medieve greke, ata punonin për llogari të një shqiptari 26-vjeç. Policia arrestoi në banesë çiftin shqiptar dhe 26-vjeçarin për të cilin ata punonin.

Nga operacioni u sekuestruan 41 kg 740 gram marihuana, 10 kg 330 gram hashash çokollatë, 2 kallashnikovë, 4 krehra kallashnikovi, 542 fishekë, 3 peshore elektronike, 7 celularë, 1 automjet.

Dje u godit një tjetër grup që trafikonte kanabis. Operacioni  u zhvillua në ishullin Zakynthos, ndërsa u arrestuan 22 persona, mes tyre edhe disa shqiptarë. Në aksion kanë marrë pjesë 20 agjentë të antikrimit, ndërkohë që dyshohet se anëtarët e grupit kanë sjellë në Greqi rreth 700 kilogramë marihuanë.