Drogba e do Ligën e Kampionëve

Sulmuesi Didier Drogba konfirmoi largimin nga Galatasaray, dhe tregoi se kërkon një skuadër konkurrente, që i mundëson të luajë sërish në Ligën e Kampionëve.

Sport

23/05/2014 21:54

Juventus thërret, Didier Drogba përgjigjet. “Dua një skuadër konkurrente, që më mundëson të luaj në Ligën e Kampionëve”, deklaroi ylli i Bregut të Fildishtë për revistën Surface.

“Galatasaray do të mbetet përgjithmonë në zemrën time dhe jam krenar që e kam bartur atë fanellë”, shtoi ai, derisa konfirmoi largimin nga gjiganti turk, pas skadimit të kontratës.

Ndërsa, pranë tij qëndron Juventus.

Këtë e pranoi edhe menaxheri i ekipit të Galatasarayt, Cenk Ergun. “Kam biseduar shumë me të në ditët e fundit, Juventus është një mundësi”, deklaroi ai.

Ish golgeteri i Chelseas është një dëshirë e kamotshme e drejtorit të përgjithshëm të Juventusit, Giuseppe Marotta.

Kurse, pronari i Bianconerëve, John Elkan të enjten e krahasoi Drogban me ikonën e Kamerunit, Roger Milla, por për të bartur fanellën e kampionit të Italisë, Drogba duhet të sakrifikojë gati gjysmën e pagës që mori në Galatasaray.