Drita dhe Prishtina mësojnë gjyqtarët e ndeshjeve ndërkombëtare të mesjavës

Dritës i referon një luksemburgas, Prishtinës një zviceran.

Sport

16/07/2018 14:41

Drita dhe Prishtina i zhvillojnë ndeshjet e kthimit në garat ndërkombëtare në mesjavë, me shpresën që do të paraqiten sa më mirë dhe të korrin rezultate pozitive, me gjilanasit që s’kanë shpresa për kualifikim dhe me prishtinasit që e kanë rastin ideal për të kaluar një raund.

Shtëpia drejtuese e futbollit evropian, UEFA, tani ka caktuar edhe gjyqtarët e ndeshjeve të dyta, shkruan “Lajmi.net”.

Sfidën mes Malmos dhe Dritës, që luhet të martën në kuadër të raundit të parë kualifikues për CHL, do ta drejtojë gjyqtari kryesor nga Luksemburgu, Laurent Kopriva, i cili do të ndihmohet nga Ries, Beker dhe Morais.

Imazh i ngjashëm

Drita e ka humbur 3:0 ndeshjen e parë në Mitrovicë, andaj në Suedi udhëton vetëm për të bërë paraqitje dinjitoze dhe mundësisht për të marrë rezultat më të mirë.

E derisa Drita pothuajse s’ka shpresa fare për të ecur tutje, ndryshe punët i ka Prishtina. Bardhekaltërit morën një barazim pa gola në Luksemburg ndaj Folas, andaj me të drejtë shpresojnë për kalimin e raundit të parë.

Gjyqtar kryesor i kësaj ndeshje do të jetë zvicerani Urs Shynder, i ndihmuar nga Kobeli, Kurnazca dhe Bieri.

Kjo ndeshje zhvillohet të enjten në stadiumin Adem Jashari, ku Prishtina pret një ndihmë të madhe jo vetëm të tifozëve të saj, por në përgjithësi të adhuruesve të futbollit kosovar, për të kaluar edhe pengesën e dytë në Evropë dhe të parën në kualifikimet e Ligës së Evropës. /Lajmi.net/

Rezultate imazhesh për Urs Shynder referee