Drenasi, simbol i fitoreve të PDK-së!

Fitorja e Partisë Demokratike të Kosovës do të jetë e madhe dhe do të jetë fitore e të gjithë qytetarëve të Kosovës, ka deklaruar kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, para simpatizantëve në tubimin përmbyllës në Drenas. 

Lajme

05/06/2014 15:22

Ai ftoi qytetarët që ta dalin të dielën masivisht në zgjedhje.

 “Misioni i Ri për Kosovën është programi që do të sjellë zhvillim të hovshëm ekonomik, vende pune dhe mirëqenie sociale. Do të jetë misioni, që do të përmirësojë edhe më shumë jetën e qytetarëve në vend”, tha Thaçi.

 Drenasi, shtoi ai, ka një pozitë mjaft të volitshme për investime dhe Fondi i Punësimit do të krijojë mundësi të mëdha për zhvillim dhe punësim.

 Kryetari i PDK-së tha se entuziazmi për fitore po shihet gjithandej Kosovës.

“Drenasi ka qenë gjithmonë simbol i fitoreve të PDK-së dhe vota juaj ka bërë që Kosova të realizojë përpjekjet e veta për pavarësi. Edhe kësaj radhe ju do të nisni misionin e ri për Kosovën. Misioni i Ri është përtej çdo partie politike. Është për qytetarin dhe fitores sonë do t’i gëzohen të gjithë”, deklaroi Thaçi.