Drejtori sportiv i Milanit në aeroplan privat me trajnerin e ri

Milan po punon për angazhimin e trajnerit të ri.

Sport

13/10/2017 11:44

Në përfundim të ndeshjes së të mërkurës mes Portugalisë dhe Zvicrës, dy lojtarë të Milanit priteshin nga një avion privat, i cili i solli në pak orë në Milano. Në atë fluturim, së bashku me Andre Silvën dhe Rikardo Rodrigezin, ishte drejtori sportiv i Milanit, Masimiliano Mirabeli. Ndoshta ishte thjesht rastësi, por natyrshëm lind pyetja:

“Përse drejtori sportiv duhej të shkonte personalisht për të marrë futbollistët?”. Mediat kanë ditë që spekulojnë mbi përgjigjen e kësaj pyetjeje dhe, më në fund, misteri u zbardh ditën e djeshme. Me sa duket, drejtuesi kuqezi ka qenë në Lisbonë, jo vetëm për të parë ndonjë lojtar, por edhe ndonjë trajner…

Fernando Santos nuk përbën profilin e kërkuar në rast shkarkimi të Montelës, ndaj logjika të çon drejt Vladimir Petkoviçit. Trajneri aktual i Zvicrës ka përvojë në Serinë A, ku ka drejtuar Lacion dhe konsiderohet si maniak i taktikës.

Nëse ai mund të vishet kuqezi, kjo është për t’u parë, sidomos pasi ai vazhdon të ndjekë ëndrrën “Rusi 2018” me kombëtaren helvete, e cila pret të njohë rivalët e “play off”-it. Boshnjaku i natyralizuar zviceran, mund ta konsiderojë përvojën milaneze vetëm në rast moskualifikimi në Botëror, por nëse Montela dështon në derbi, Milani nuk mund të presë gjatë për zëvendësuesin.