Drejtori që ua ndal pagat mësimdhënësve dhe paguan arsimtar pa qenë në mësim (Dokument)

Drejtori i gjimnazit “Kuvendi i Arbërit” në Ferizaj, Enver Azemi ka vendosur që disa mësimdhënësve t’ua heq nga paga 20 euro, por pa iu dhënë ndonjë sqarim. Azemi nuk është mjaftuar me kaq, ai ka vendosur që një mësimdhënësi t’i paguhen orët edhe pse nuk ka marrë pjesë në procesin mësimor për afro tre muaj. E kur në shkollë kanë nisur pakënaqësitë, Azemi ua dërgon një letër mësimdhënësve me plot gabime drejtshkrimore, duke i kërcënuar se nuk duhet të flasin për këtë çështje, por të merren me punët që i kanë.

Lajme

14/12/2017 11:51

Nga: Elhami Ismajli 

Që nga shtatori i këtij viti mësimdhënësi i lëndës Kulturë Fizike në Gjimnazin “Kuvendi i Arbërit” në Ferizaj, Hazir Salihu, nuk ka marrë pjesë në procesin mësimor, por paga i ka ecur sikur t’i mbante orët.

Kjo është mundësuar nga drejtori i gjimnazit “Kuvendi i Arbërit” Enver Azemi.

Për këtë kohë mësimdhënësi Salihu kishte qëndruar në Amerikë, dhe njëkohësisht kishte marr pagën e mësimdhënësit prej 510 eurove.

Dokumenti që dëshmon se Hazir Salihu ka marrë pagën

Drejtori i shkollës e bënë edhe një veprim tutje, duke ua ndalur mësimdhënësve nga 20 euro nga paga për muajin tetor me pretendimin se nuk kanë marrë pjesë në manifestimin për ditën e dëshmorëve të Ferizajt.

Lajmi.net ka provuar të kontaktojë për dy ditë rresht drejtorin Azemi, por ky i fundit ka refuzuar që të jap informacione në lidhje me rastin.

Në ditën e dytë drejtori është përgjigjur në telefon. Azemi ka pranuar që ua ka ndalur nga 20 euro mësimdhënësve, por nuk ka dhënë arsyen. E për mësimdhënësi që ka munguar në procesin mësimor e që ka marrë pagën, ka thënë se është kthyer në punë, duke konfirmuar se nuk ka marrë pjesë në procesin mësimor.

“Çka të kesh nevojë vjen në shkollë. I kemi dhënë shënimet njëherë, ne s’mundemi t’i japim gjithkujt. Ndash me ardhë, hajde në shkollë, i ki shënimet. Jau kam ndal bre burrë (20 euro mësimdhënësve), qysh s’jau kam ndal edhe profesori është kthyer moti në punë, hajde në zyre. S’është e vërtet unë nuk mundem me nejt duke ju çu imella kush të thirr këtu”, ka thënë drejtori  i gjimnazit “Kuvendi i Arbërit” Enver Azemi, duke na lutur që mos ta pengojmë më.

Lajmi.net ka kontaktuar me një mësimdhënës të kësaj shkolle që nuk ka pranuar të flas publikisht.

Ai ka treguar se ndalesa në pagë iu është bërë pa asnjë arsyetim, dhe sqarim.

“Nuk na ka dhënë arsye për këtë ndalesë drejtori i shkollës. Pagën për muajin tetor e kemi marrë me 20 euro më pak. Na është thënë gojarisht që arsyeja është mos pjesëmarrja në një manifestim për ditën e dëshmorëve në Ferizaj. Në atë manifestim kanë qenë mijëra vetë, dhe drejtori që pretendon, nuk ka pasur mundësi me i verifiku të gjithë mësimdhënësit, por edhe nëse nuk kemi qenë, obligim ligjor nuk e kemi”, ka thënë ky mësimdhënës i kësaj shkolle për lajmi.net, por që ka dashur të mbetet anonim.

Lajmi.net posedon dëshmi që mësimdhënësve u janë ndalur nga 20 euro në pagë për këtë muaj.

 

Dokumenti që ka siguruar lajmi.net ku tregohet se u janë ndalur 20 euro

E mësimdhënësi që ka munguar 3 muaj dhe ka marrë pagën, Hazir Salihu i takon subjektit politik të LDK-së dhe ka qenë në garë për asambleist në komunën e Vitisë.

E favori po dyshohet t’ia ketë bërë drejtori i shkollës Enver Azemi, që i përkasin të njëjtës parti politike.

Lajmi.net ka gjetur se Salihu ka qenë në zgjedhjet e fundit në listën e kandidatëve për asambleist në LDK, por që nuk ka arritur të bëhet pjesë e Kuvendit Komunal të Vitisë.

Lajmi.net po ashtu ka provuar të flas me Salihun, por telefoni i tij ka qenë i fikur tërë kohën.

Ligji i Punës parasheh që i punësuari ka 20 ditë të vitit kalendarik që mund të marr pushim mjekësor me pagesë.

“Neni 59 i Kompensimi i pushimit mjekësor. Neni 1. I punësuari në rast të sëmundjes ka të drejtë në pushim mjekësor të rregullt mbi bazën, deri në njëzet (20) ditë pune brenda një (1) viti me kompensim prej 100 % të pagës”.

Por Salihu ka kaluar pothuajse trefishin e 20 ditëve të pushimit me pagesë.

Në këtë shkollë më pas kishin nisur pakënaqësitë e stafit ndaj ndalesës që iu ishte bërë në paga dhe njëkohësisht për mungesën e mësimdhënësit që po paguhej pa punuar fare.

Një letër që e ka siguruar lajmi.net të shkruar nga drejtori i shkollës, Enver Azemi, përveç gabimeve logjike drejtshkrimore, kërcënohen arsimtarët nëse flasin për këtë problematik.

Azemi iu thotë mësimdhënëseve që mos të humbin kohë korridoreve të inspeksionit të arsimit, policisë e DKA-së se kush është i sëmur e nuk mban orë.

“Kërkoj nga këta mësimdhënës t’i kryejnë detyrat e mësimdhënësit e mos të  merren me gjëra të kota”, shkruante në letër drejtori.

Lajmi.net ka provuar që nga fillimi i javës të marrë një përgjigje nga Komuna e Ferizajt, por ka qenë e pamundur.

Fillimisht kemi kontaktuar me drejtorin e Arsimit në këtë komunë, Muhamet Halilin, por ai ka thënë se tashmë nuk e ushtron këtë funksion pasi është zgjedhur asambleist në Kuvendin Komunal.

Më pas kemi kërkuar një sqarim nga përgjegjësi i financave në Drejtorin e Arsimit në Ferizaj, Muhamet Murseli, por ai ka thënë se kemi thirrur në adresë të gabuar.

Po ashtu kemi provuar të kontaktojmë me kryetarin në detyrë të  Ferizajt, Muharrem Sfarqën, por ai nuk e ka hapur telefonin dhe nuk i ka kthyer mesazhet.

Lajmi.net ka kontaktuar edhe Ministrinë e Arsimit për ta pyetur në lidhjet me procedurat që janë shkelur në gjimnazin “Kuvendi i Arbërit”.

Në MASHT kanë thënë se kjo pyetje duhet te adresohet ne Drejtorine Komunale të Arsimit ne Ferizaj.

Në Ministrinë e Arsimin kanë thënë se me buxhetin e shkollave menaxhojnë Drejtorit Komunale të Arsimit.

“DKA dhe drejtoria e shkollës e menaxhojnë stafin e shkollave në tërësi duke përfshirë edhe punëtorët edu-arsimor. DKA e menaxhojnë edhe buxhetin Grandin Specifik të Arsimit Parauniversitar. DKA dhe drejtoria e shkollës i menaxhojnë tërë punën, vijueshmërinë dhe të gjitha aktivitetet që kanë të bëjnë me realizimin e punës ditore”, thuhet në një përgjigje të Ministrisë së Arsimit për lajmi.net./Lajmi.net/