Drejtori i Shpend Ahmetit nga AAK: Flamuri kombëtar do të rikthehet të rrethi më 19 shkurt

Brahim Mehmetaj nga radhët e AAK-së, i cili është drejtor i Inspektoratit në Komunën e Prishtinës ka thënë se flamuri kombëtar që u hoq tek rrethi do të rikthehet përsëri më datën 19 shkurt.

Lajme

14/02/2018 19:20

Mehmetaj këtë e ka thënë në një debat me qytetarët në llogarinë e tij facebook, shkruan lajmi.net.

“Me dt 19.02.2018 kthehet flamuri kombëtar”, i ka thënë një qytetari Mehmetaj, i cili i kishte kërkuar llogari drejtorit për heqjen e flamurit kombëtar.

Drejtori i deleguar i Ramush Haradinaj tek Shpend Ahmeti, me datë 2 shkurt e kishte vendosur një flamur të ri së bashku me disa punëtorë të një kompanie kontraktuese të Komunës. Fotografitë e vendosjes së flamurit, Mehmetaj i ka postuar në Facebook ditë më parë.

Ndërkohë, një grup qytetarësh dhe shoqëria civile i kishin kërkuar kryetarit Shpend Ahmeti që të vendosë tek rrethi edhe flamurin shtetëror të Kosovës për nder të 10 vjetorit të pavarësisë. Ahmeti kishte thënë se kjo nuk është kompetencë e Komunës, ani pse ndërrimin e flamurit gjatë gjithë kohës e kanë bërë zyrtarë komunal. Pas këtyre deklaratave, kryeministri Ramush Haradinaj kishte urdhëruar Ministrinë e Administratës Publikë që të vendos flamurin shtetëror në hyrje të Prishtinës. Në natën e së martës, zyrtarët të MAP kanë hequr flamurin kombëtar për ta zëvendësuar më atë shtetëror.

Ndërkohë, drejtori Mehmetaj ka qenë këmbëngulës gjatë gjithë kohës që mos të hiqet flamuri kombëtar tek rrethi.

“Flamuri jonë Kombëtar është në vend të duhur, nëse dikujt ja vranë sytë, le të mos e shikoj. E kuptoj reagimin e dikujt sepse janë mësuar ndoshta duke parë Flamuj të tjerë me tre e më shumë ngjyra dhe ndoshta edhe i kanë për mall, por mos harroni se kurr në këtë jetë askush nuk do të mund ta përdhos, ta ndërroj ose zëvendësoj me asnjë tjeter, cili do qoftë ai me 6 Yllka apo me tre ngjyra etj. Mos harroni se mbi këtë Flamur KUQ e ZI është themeli i Shtetit te Kosovës, me këtë Flamur është fituar kjo Liri”, ka shkruar mes tjerash Mehmetaj në fb me datë 11 shtatorë. /Lajmi.net/