Drançolli: Politika serbe manipulonte me emrin e Milosh Kopiliqit

KOPILIQI Milosh-KOBILIQ-OBILIĆ, sipas historianit tw njohur Jahja Drançolli, burimet historike zyrtare të zbuluara hedhin dritë më tepër për aspekte onomastike sesa për personalitetin historik të Milosh Kopiliqit.

Fun

28/01/2016 09:17

Drançolli thotë se njëfarë Kopil Boja(noviq) i fshatit Çabiq, është regjistruar në krisobulatin e Deçanit (1330) dhe emri Kopil përmendet në krisobulën Banjskës (1313). Po ashtu, historiani thekson se në Raguzë jetonte familja Kobiliq (1390), dhe pjesëtari i quajtur Pribislav Kobiliq (1417), , transmeton lajmi.net

Një qytetar tjetër, po ashtu raguzan mbante emrin Milosh Stanishiq Kobiliq (1433). Në Trebinje, jo larg Raguzës jetonte familja bujare Kobilaçiq (shek. XIV-XV). Është e njohur, shton Drançolli, se sipas një Defteri osman të vitit 1455 përmendet fshati Kopiliq i Drenicës, respektivisht, Kopiliqi i Epërm e Kopiliqi Poshtëm.

“Dokumenti i vetëm zyrtar i kohës, letra e komunës së Firencës (20 tetor 1389), për vrasës të sulltan Muratit i konsideronte dymbëdhjetë bujarët, që ishin betuar për ta kryer vrasjen”, deklaron Drançolli.

(“Felices et ter quaterque felices duodecim illa procurum jurata manus qui turmas hostium perrumpentes,[…], ad Lamorathi”).

“Kjo është dëshmi e vetme e burimeve zyrtare, që mund të merren në konsideratë për të bërë rekonstruimin e historisë së Milosh Kopiliqit dhe përkatësisë së tij etnike”, konstaton profesori i historisw.

Sipas tij, historianët e shek. XV, në anë tjetër, edhe pse e përmendin Betejën e Kosovës (1389) nga distanca e madhe kronologjike, nuk e përmendin fare emrin, ose vetëm e përmendin pjesërisht një vrasës anonim të sulltan Muratit I. Këtej, shton Drançolli, K. Filozof, një biograf i despotit të Rashës, St. Lazareviq, jo vetëm që nuk përmend emrin e sulltanit, por as emrin e vrasësit të tij (rreth 1431). Kronistët bizantinë, Halkokondili (1463) dhe Dukas (1460/70), ia përmendin vetëm emrin: Μηλοης, Μiloes.

Më poshtë mund ta lexoni pjesën tjetër të statusit të Jahja Drançollit në facebook:

Nga fundi shek. XV, burimet tregimtare dhe letrare do ta përmendin emrin e plotë të Milosh Kopiliqit. Emri i plotë i tij, “Biliş/Beleş Küb-ila, zë fill si pari në “Historinë e dinastisë Osmane“ (1484). Kjo trajtë osmane, pas një shekulli zuri fill të imponohet më pastaj edhe në traditën arbërore, serbe, italiane, gjermane, etj.

Trajtën e italianizuar, “Milos Cobilichio, capetanio de Lazaro”. Po kështu, “Milosso Cobilichio”, por në cilësi të perandorit të Mezisë, e zë në gojë Marin Beçikemi (1502/3). Nën ndikimin e historianëve arbër e dalmatë, kjo trajtë paraqitet edhe te humanistët italianë: “Meloe/Michele i quajtur ndryshe Milosso Cobilichio”. Ndërsa te gjermanët paraqitet: “Myloni Chable” (1502); “Milosch Khabilouitz” (1531). Trajtën sllave “Miloš Kobila” e gjejmë në dorëshkrimin e Kostandin Mihalit të Novobërdës (rreth 1497). Apelativ identik mund të ndeshet te murgjët serbë, Milosh Kobiliq (1597/98).

Burimet e përmendura, qofshin ato zyrtare ose tregimtare e letrare, do të mundësonin për të parë se si është bërë shndërrimi i mbiemrit Kopiliq-Kobiliq në Obilić nga studiuesi, P. Julinac (1765) dhe V. Karadžić (1818). Albanologët F. Miklosich dhe Petar Skok kanë këmbëngulur se emri Kopiliq është me prejardhje shqipe.

Etimologjia e emrit të fshatit Kopiliq i Drenicës sipas Petar Skok është rezultat e kompozitës së emrit Kopil me prapashtesën iq. D. Kostić, konsideron se atdheun e Milosh Kopiliqit duhet kërkuar në anën ku serbët jetonin që nga vendosja në simbiozë me elemente të lashtë ballkanik “romano-vlleh dhe trako-arbëror”, në këtë kontekst “me anën e etimologjisë popullore forma e vjetër Kopiliq u spostua në formën Kobiliq”.