Draft i ri për marrëveshjen e Asociacionit

Shefi i delegacionit kosovar për bisedimet me Serbinë, Avni Arifi, ka thënë se në takimin e javës së ardhshme në Bruksel me palën serbe do të diskutohet edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Sipas tij, Asociacioni duhet të themelohet në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me ç’rast do të bëhet një draft i ri për këtë marrëveshje.

Lajme

20/02/2018 08:27

Delegacioni kosovar dhe ai serb gjatë javës së ardhshme do të takohen në Bruksel, ku pritet të diskutojnë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe për marrëveshjet tjera që nuk po zbatohen, duke përfshirë këtu Marrëveshjen për Lëvizjen e Lirë, Marrëveshjen për Energjinë, etj.

Shefi i delegacionit kosovar për bisedimet me Serbinë, Avni Arifi, ka deklaruar dje për gazetën “Zëri” se qëndrimi i tyre për Asociacionin është i qartë dhe se duhet të themelohet në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me ç’rast do të bëhet një draft i ri për këtë marrëveshje.

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, ka bërë të ditur se takimi i ardhshëm në mes të delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë do të mbahet më 26 shkurt në Bruksel.

Sipas saj, në këtë takim do të diskutohet rreth zbatimit të marrëveshjeve të deritanishme mes dy shteteve.