Dr.Vampiri është lokalizuar në Amsterdam, njoftohet edhe EULEX?

Zyra e Prokurorisë serbe për Krime të Luftës ka lokalizuar vendndodhjen e mjekut turk Yusuf Sonmez, i cili akuzohet për trafikim të organeve në Kosovë, në rastin “Medicus”. 

Lajme

02/09/2014 12:11

I kërkuari nga drejtësia e Kosovës, dhe i futur edhe në listën ndërkombëtare të të kërkuarve “Interpol”, mjeku turk Yusuf Sonmez, sipas të përditshmes serbe “Kurir”, ndodhet në kryeqytetin holandez, Amsterdam. 

Sipas kësaj të përditshme, Sonmez ka kontaktuar përmes e-mailit me një dëshmitar të Prokurorisë serbe për krime të luftës, i cili i është paraqitur mjekut si i interesuar për blerjen e veshkave. 

Për ndodhjen e Sonmez, thuhet se menjëherë është informuar edhe Jonathan Ratel, kryeprokuror i EULEX-it, pasi ai është i akuzar në “Medicus” për trafikim të organeve. 

Yusuf Sonmez kohë më parë kishte pranuar se ka bërë shumë transplante në Kosovë, në spitalin “Medicus”, por thotë se në dokumente ka shkruar se ato i kreu për të tjerët.

Yusuf Sonmez, apo doktor “Vampiri”, kishte rrëfyer për mediat kosovare, duke pohuar se ka marrë para të majme për të kryer punën e tij, por jo siç thuhet (100 mijë dollarë për një transplant). 

Në rastin “Medicus”, Gjykata Themelore e Prishtinës ka dënuar të akuzuarit me 20 vjet burgim: Lutfi Dervishi është dënuar me tetë vjet e 10 mijë euro; djali i tij, Arban Dervishi, është dënuar me shtatë vjet e tre muaj burg dhe me dymijë e 500 euro gjobë; Sokol Hajdini u dënua me tre vjet burg, ndërkaq Driton Jilta i ka shpëtuar dënimit. Islam Bytyqi është dënuar me një vit, Sylejman Sulla gjithashtu me një vit. Që të dy janë dënuar me nga dy vjet me kusht që të mos përsërisin veprën e njëjtë penale. Ilir Rrecaj, ish-sekretar permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, ishte shpallur i pafajshëm. (lajmi.net)