Dr. Pal, mos vazhdo me propagandë

Mimoza Kusari-Lila e konsideron ofenduese gjuhën e rivalit të saj, Pal Lekaj. Thotë se ai po bën propagandë.

Lajme

10/11/2013 15:37

Mimoza Kusari-Lila pret mbështetjen e elektoratit të partive që nuk arritën të futen në balotazh.

Në një konferencë shtypi, të dielën, Kusari-Lila u shpreh e bindur në fitoren e saj, e cila shpreson se do të ndodhë edhe me përkrahjen e partive që nuk kaluan në raundin e dytë.

“Më duhet të them se jam e kënaqur se kemi edhe elektorat të partive që nuk kanë kaluar në raundin e dytë që kontaktojnë me AKR’në. Ekziston një mirëkuptim dhe  besim i plotë që AKR’ja, së bashku me mua si kandidate, të bëjë ndryshimin e pritur nga të gjithë qytetarët e Komunës së Gjakovës”.

Ish Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë thotë se është shqetësuese gjuha e rivalit të saj, Pal Lekaj.

“Gjuha ofenduese dhe propaganda që është duke dominuar këto ditë në Komunën e Gjakovës, konsideroj që së pari nuk i bën nder Kryetarit në largim, e pastaj as një personi që ka pretenduar të jetë Kryetar i Komunës së Gjakovës”.

“Qasja që është duke e shfrytëzuar ky Kryetar në ushqimin e frymës ndarëse, në shpërndarjen e propagandës se kinse nëse zgjidhem unë si Kryetare e Komunës nuk do lejoj përfaqësuesit e fshatrave të hyjnë në qytet – me të vërtetë është për keqardhje dhe i bën dëm gjithë banorëve të Komunës së Gjakovës”.

Kusari-Lila në këtë konferencë gjithashtu ka bërë të ditur se tani AKR ka dy vende më shumë në Asamblenë Komunale, në krahasim me zgjedhjet lokale të vitit 2009.