Dosja e Emiljano Shullazit zhyt në kaos Prokurorinë e Krimeve të Rënda

Përfaqësimi i akuzës në çështjen e Emiljano Shullazit ka zhytur në kaos Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku 10 prokurorë u vendosën nën procedim disiplinor ndërsa 3 prej tyre u transferuan në rrethe periferike të enjten.

Lajme

21/09/2018 18:04

Zyra e shtypit e Prokurorisë së Përgjithshme i motivoi masat ndëshkimore me refuzimin “në bllok” të procedurës për zgjedhjen me short të prokurorit që do të përfaqësojë në gjykatë çështjen penale kundër Shullazit dhe katër të akuzuarve të tjerë si anëtarë të bandës së tij.

Shullazi, së bashku me Gilmando Danin, Blerim Shullazin, Endrit Qyqjen dhe Endrit Zelën akuzohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për gjobëvënie, shkatërrim të pronës me eksploziv, armëmbajtje pa leje dhe krijimin e një grupi të strukturuar kriminal.

Procesi gjyqësor ndaj tyre nisi pranverën e vitit 2017 dhe një pjesë e dëshmitarëve të akuzës ndryshuan qëndrim në bankën e dëshmitarit, duke mohuar të kishin njohje me të akuzuarin apo se ishin kërcënuar prej tij. Por kur çështja mbërriti në pikën e leximit të pretencës në qershor, seancat u zvarritën fillimisht nga avokatët mbrojtës dhe më pas nga mungesa e prokurorëve që e hetuan atë.

Në 1 gusht, prokurorja Elisabeta Ymeraj u komandua në krye të Prokurorisë së Tiranës, duke lënë dosjet e hetuara si pjesë e Krimeve të Rënda, ndërkohë që prokurori tjetër, Ened Nakuçi ka paraqitur një raport mjekësor 6 mujor.

Për të zhbllokuar situatën, drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela  autorizoi paraardhësin e saj, Besim Hajdarmataj për të përfaqësuar çështjen në gjykatë. Hajdarmata u paraqit në seancën e 11 shtatorit, ku u kundërshtua nga avokatët mbrojtës dhe kërkoi kohë për shqyrtimin e akteve të dosjes.

Por më 19 shtator, drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela organizoi një mbledhje për hedhjen e një shorti që do të përcaktonte një përfaqësues shtesë të akuzës në dosjen e Shullazit. Mbledhja u shoqëruar me debate, ndërkohë që prokurorët e kundërshtuan procedurën e ndjekur si antiligjore dhe braktisën njëri pas tjetrit procesin.

Përplasja u përshkallëzua të enjten, kur Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se kishte nisur procedim disiplinor kundrejt 10 nga 17 prokurorët e pranishëm në mbledhje.

“Prokurori i Përgjithshëm, znj. Arta Marku duke marrë shkas nga… refuzimi i prokurorëve për hedhjen e shortit në procedimin penal… urdhëroi fillimin e hetimit disiplinor ndaj prokurorëve,” thuhet në njoftimin e shpërndarë nga zyra e shtypit e Prokurorisë së Përgjithshme.

Në një njoftim të dytë, organi qendror i akuzës bëri me dije vendimin për transferimin e tre prej prokurorëve kundërshtues-Besim Hajdarmataj në Pogradec, Olsian Çela në Berat dhe Sonila Muhametaj në prokurorinë e Pukës.

BIRN kontaktoi me disa prej prokurorëve, të cilët e konsiderojnë procedurën e ndjekur nga Prela si të pabazuar në ligj, ndërkohë që mbrojnë idenë se çështja duhej të përfaqësohej në gjykatë nga dy prokurorët që kanë kryer hetimet.

Ndërkohë, drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela i tha BIRN se procesi i hedhjes së shortit  ishte legjitim dhe askush prej prokurorëve nuk e ka kundërshtuar atë me shkrim.

“Organizimi i shortit ishte ligjor dhe prokurorët nuk kanë asnjë të drejtë të kundërshtojnë, refuzojnë apo braktisin procesin. E vetmja e drejtë e tyre është që të paraqesin kundërshtimet e tyre me shkrim dhe unë në zyrën time nuk kam asnjë pretendim të tyre,” tha Prela për BIRN.

Ajo paralajmëroi organizimin e një shorti tjetër, si zgjidhja e vetme ligjore sipas saj për ngërçin e krijuar.

Drejtuesja e Prokurorisë garantoi se interesat e shtetit shqiptar ndaj çështjes Shullazi do të mbrohen në rrugë ligjore

“Çështja do të zgjidhet në rrugë ligjore dhe garantoj se Prokuroria e Krimeve të Rënda do të përfaqësohet në mënyrë dinjitoze. Do të zhvillohet shorti dhe se ju do të jeni sërish në dijeni,” shtoi Prela.

Por prokurorët Besim Hajdarmataj, Olsian Çela, Sonila Muhametaj dhe Eugen Beçi i kundërshtuan argumentet e Prelës në biseda telefonike me BIRN, ndërsa paralajmëruan edhe lëvizje ligjore.

Prokurori Besim Hajdarmataj, i cili ka drejtuar më parë Prokurorinë e Krimeve të Rënda i tha BIRN se ai ka pranuar prej fillimit të shtatorit përfaqësimin e akuzës në çështjen e Shullazit, ndonëse vuri në diskutim bazën ligjore të autorizimit që e ngarkoi me këtë detyrë.

“Unë kam pranuar të  përfaqësoj akuzën edhe me një autorizim që nuk kishte bazë ligjore.  I jam drejtuar  titullarit me shkrim, ku jam munduar të shpjegoj se cila është mënyra e mirë që   prokuroria duhet të   përfaqësohet  dhe rrugët  proceduriale që duhen ndjekur,” tha Hajdarmataj.

“Nuk është e vërtetë që unë kam braktisur mbledhjen dhe ne kemi pasur korrespondencë për diskutimin e kësaj çështjeje,” shtoi Hajdarmataj.

Edhe Olsian Çela i tha BIRN se nuk refuzoi procedurën, por bindjen ndaj një procedure që ai e quan antiligjore.

“Ne refuzuam procedurën antiligjore  të procesit dhe jo hedhjen e shortit. Dosja ka prokuror dhe  si në çdo proces tjetër mund të vijohet në të njëjtën praktikë,” tha Çela.

Prokurori tjetër, Eugen Beçi tha se “10 prokurorë nuk mund të kryejnë një veprim antiligjor”, duke këmbëngulur se veprimet e tij janë në përputhje me ligjin. Beçi refuzoi megjithatë të komentonte nisjen e një hetimi disiplinor kundër tij.

“Që mos të bëhem shkak për thyerje të një urdhri të dytë nuk kam asnjë koment për procedimin disiplinor,” shtoi ai.

Prokurorja Sonila Muhametaj hodhi poshtë zërat për frikë në përfaqësimin e dosjes së Shullazit, duke kontestuar fort procedurën e ndjekur.

“Unë interesat e shtetit ndaj këtij personi i kam përfaqësuar edhe më herët, në Krujë, dhe nuk do të hezitoja sërish të  bëja  detyrën time. Por ama vendimi duhet të jetë ligjor.  Prokurori që ka hetuar çështjen duhet ta përfaqësojë atë dhe kjo është një praktikë tashmë e ndjekur,” tha Muhametaj.

Prokurorja i tha BIRN se ndjehej e keqardhur për vendosjen e saj nën procedim disiplinor dhe për ndëshkimin me transferim në Prokurorinë e Pukës.

“Urdhri i transferimit m’u komunikua jashtë orarit zyrtar. Pikërisht për të më thënë se çfarë  ligjesh kam shkelur dhe përse transferohem kam kërkuar takim me Prokurorin e Përgjithshëm, por nuk u mundësua,” shtoi Muhametaj.

Besim Hajdarmataj e cilësoi vendim të turpshëm ndëshkimin e prokurorëve dhe paralajmëroi kallëzim si për procedimin disiplinor ashtu edhe për vendimin e transferimit të tij në Pogradec.

“Urdhri i komandimit tim në Pogradec është i turpshëm, sepse në lidhje me këtë çështje unë kam mbajtur qëndrimin tim. Për hetimin  disiplinor jo vetëm që nuk jam në dijeni, por do të  bëj  kallëzim  penal,” paralajmëroi ai.

Gjykata e Tiranës ka caktuar seancën e radhës ndaj Shullazit dhe të akuzuarve të tjerë si anëtarë të bandës së tij më 25 shtator, ndërkohë që “furtuna” e së enjtes në Prokurorinë e Krimeve të Rënda e ka bërë edhe më të paqartë situatën se kush do të marrë përsipër të lexojë pretencën ndaj tij.