“Dorëzohet” OVL e UÇK-së: S’ka protesta në ditën kur themelohet Specialja!?

Organizatat e veteranëve të luftës së UÇK-së nuk do të protestojnë në ditën kur deputetët e Kuvendit të Kosovës do të votojnë për krijimin e Gjykatës Speciale.

Lajme

23/06/2015 17:57

Burime të ORAinfo bëjnë të ditur se krerët e këtyre organizatave janë në presion të madh nga drejtues të Qeverisë së Kosovës. Sipas këtij burimi, Qeveria po frikësohet se organizimi i protestës nga veteranët mund të eskalojë.

“Prandaj, është kërkuar nga organizatat e luftës që ditën kur pritet krijimi i Gjykatës Specialet mos të protestojnë”, ka thënë ky burim.

Faton Klinaku, përfaqësues i organizatave të luftës, ka thënë për ORAinfo se ende nuk kanë vendosur për hapat që do t’i ndërmarrë kjo organizuar ditën kur votohet Specialja.

Sipas tij, me një qëndrim rreth kësaj çështje, kjo organizuat do të dal ditëve në vijim.

Nga ana tjetër, për nesër (e mërkurë), kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka paralajmëruar se do të takohet me shoqatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Zyra e kreut të Kuvendit njofton se Veseli do t’i vizitojë ata në zyrat e tyre në Prishtinë, në mesditë, dhe se më pas do të ketë deklaratë lidhur me takimin.

Ndryshe, Kryesia e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot ka vendosur që të premten të mbahet seanca në të cilën pritet të votohen amendamentet kushtetueses të cilat i hapin rrugë krijimit të Gjykatës Speciale.

Kundër këtij vendimi të Kryesisë kanë dal tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, AAK dhe Nisma për Kosovën.

Këto tri parti po vlerësojnë se krijimi i speciales do të degradojë luftën e UÇK-së si dhe do të rrënojë sistemin e drejtësisë në vend.