Donika për ndryshime

Tubimi i AAK’së në Istog u mbajt në ambient të hapur pasi që komuna nuk kishte lejuar që AAK ta mbante atë në Shtëpinë e Kulturës. Prandaj Kadaj- Bujupi pati një shprehje keqardhjeje për të pranishmit në tubim, të cilët qëndronin këmbë.

Lajme

03/10/2013 19:36

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka prezantuar në Istog kandidaten e vet për kryetare të komunës, Donika Kadaj- Bujupi.

Në një tubim para shumë qytetarëve, Kadaj- Bujupi tha se në Istog ka ardhur koha për ndryshime.

Tubimi u mbajt në ambient të hapur pasi që komuna e Istogut nuk kishte lejuar që AAK ta mbante atë në Shtëpinë e Kulturës.

Prandaj Kadaj- Bujupi pati një shprehje keqardhjeje për të pranishmit në tubim, të cilët qëndronin këmbë.

”Të nderuar bashkëvendës, zonja dhe ju të moshuar që po qëndroni në këmbë në kërkim të rrugës për ndryshim. Më lejoni që të shprehi keqardhje. Po e mbajmë këtë tubim këtu sepse na u pamundësua shfrytëzimi i shtëpisë së kulturës. Mirëpo, qëllimin tonë s’mund ta ndal askush. Sepse çdokush me votën e vet do ta bëjë të mundshëm ndryshimin. Në Istog ka ardhur koha për ndryshime. Plani ynë i qeverisjes komunale do të jetë ne favorin e qytetarit istogas. Investimet në arsim, ekonomi, administratë, shëndetësi do të fillojnë që me 4 nëntor”,  tha Donika Kadaj-Bujupi.

Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj tha se qytetari istogas duhet t’i japë shansin Donika Kadaj-Bujupit për të qeverisur Istogun për të dëshmuar se çfarë vullneti të madh ka për punë.

”Istogu është vendlindja e një njeriu që ka vlerë të madhe në mbarë shqiptarinë, Istogu është vendlindja e Ibrahim Rugovës. Është radha për t’i dhënë shansin Donikës si kryetare të ardhshme të komunës për të dëshmuar se çfarë vullneti të madh ka për punë. Istogu ka nevojë për ndryshime dhe ndryshimet fillojnë që me 4 nëntor”, tha Hardinaj.

Që nga viti 2000 Istogu është qeverisur nga Lidhja Demokratike e Kosovës.