Donika Kadaj thotë se u fye nga Albulena Haxhiu pasi u largua nga VV

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, pas largimit nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se është ndier e fyer nga ish-kolegia partiake, Albulena Haxhiu, pasi ajo i ka thënë se “është shitur”, duke kaluar në AAK.

Lajme

22/03/2018 23:31

“Asnjëherë në karrierë, asnjëherë në jetë, nuk kam replikuar ndaj fyerjeve të bëra ndaj meje”, është shprehur Kadaj-Bujupi, duke iu referuar deklaratës së Haxhiut.

“Unë i respektoj edhe mendimet ndryshe, nuk replikoj asnjëherë ndaj fyerjeve, kështu do të veproj edhe në të ardhmen”, ka theksuar Kadaj-Bujupi.

Ajo ka thënë se Haxhiun e konsideron mike. “Kemi qenë mike edhe më herët. Besoj se kështu do të mbetet edhe në të ardhmen”, është shprehur ajo.

Deputetja e AAK-së ka thënë se nuk i është premtuar asgjë për t’u kthyer në partinë e Ramush Haradinajt. /Express/