Donika Kadaj sot u rikthye në “gjirin” e Haradinajt, por dy muaj më herët kërkoi dorëheqjen e tij

Donika Kadaj është rikthyer sot në partinë e Ramush Haradinajt, AAK. Pas një rrugëtimi me Lëvizjen Vetëvendosje, Donika Kadaj nuk iu bashkua grupit të të pakënaqurve në VV të cilët po sot kanë bërë kërkesë për grup të ri parlamentar, por vendosi të rikthet në ‘gjirin’ e Haradinajt.

Lajme

14/03/2018 16:12

Megjithatë, vetëm dy muaj më parë, Donik Kadaj kishte qenë e ashpër me Haradinajn. Bile ajo kërkoi edhe dorëheqjen e tij.

E pati quajtur shefin e saj të ri si të papjekur për të qenë shtetformues. E gjithë kjo kishte ardhur pasi që Donika Kadaj komentoi mbi raportimet se kryeministrit Haradinaj i ishte refuzuar viza për SHBA, shkruan lajmi.net.

Ky ishte postimi i plotë i Donikës:

Nëse me të vërtetë i është refuzuar viza nga SHBA-të Kryeministrit, këtij të fundit nuk i mbetet gjë tjetër veç dorëheqjes. Dështimi i qeverisjes së vendit në mënyrë koherente me SHBA-të në fazën në të cilën gjendet vendi ynë është dëm i madh dhe çdokush që ka pjekuri shtet-formuese dhe ndjenja patriotike do të duhej të largohej nga skena politike për t’iu dhënë rast njerëzve të rinj e ide të reja, kreativitetit dhe më së shumti mençurisë shtet-formuese, ashtu që kombit tonë t’i hapen rrugët dhe të dalë nga izolimi i krijuar nga udhëheqës të papërgjegjshëm për gati dy dekada.