Donika Kadaj: Asnjë cent për Serbinë

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Donika Kadaj ka thënë se Qeveria e Kosovës me vënien e taksës ndaj shtetit serb ka shpërfaqur atë për du dekada ka gulçuar në ne, dhe përveç kësaj, na ka çuar në dështime të lloj-llojshme si shtet dhe si shoqëri.

Lajme

16/01/2019 21:09

Sipas saj, kryeminsitri Ramush Haradinaj ka mbrotjur edhe njëherë interesat e shtetit, , pa gjarpëruar e shtrirë qafën si disa pseudo-demokratë.

“Kryeministri Ramush Haradinaj, me gjithë presionet e vazhdueshme të lloj-lloj grupi të interesit, të lloj-lloj politikani vendor e ndërkombëtarë, të lloj-lloj biznismeni e lobisti, mbrojti edhe një herë interesat e shtetit, pa gjarpëruar e shtrirë qafën si disa pseudo-demokratë. Ajo që nuk u realizua për shumë e shumë takime në tryeza të rrumbullakëta, u realizua në një ditë të vetme me një veprim dinjitoz”, ka shkruar mes tjerash ajo.

Shkrimi i saj i plotë në Facebook:

Asnjë cent për Serbinë

Nuk ka një ditë të vetme, qoftë në një kontekst apo në një tjetër, ku kalendari nuk shënon përvjetor që rikthejnë në kohë të bëmat e regjimit serb në Kosovë. Sa herë që një ditë e familjeve tona fillon e mbaron, në një fshat a qytet të Kosovës, për treqindekusur ditë të tëra, dhimbja e krimeve të pandëshkuara godet pashpirtë trupat dhe mendjet tana. Sot, lufta e shtetit serb ka marrë trajtë tjetër. “Milici” famëkeq sot është diplomati. Arma e tyre vdekjeprurëse sot është ideja e zhbërjes. Pushtimi i tyre është dominimi ekonomik. Shteti serb sot bënë atë legjenden e ujkut që masoket si preja e vet.

Qeveria e Kosovës me vënien e taksës prej 100% ndaj shtetit serb, më shumë se çfarëdo tjetër, ka shpërfaqur atë që për dy dekada ka gulçuar në ne, dhe përveç kësaj, na ka çuar në dështime të lloj-llojshme si shtet dhe si shoqëri. Kryeministri Ramush Haradinaj, me gjithë presionet e vazhdueshme të lloj-lloj grupi të interesit, të lloj-lloj politikani vendor e ndërkombëtarë, të lloj-lloj biznismeni e lobisti, mbrojti edhe një herë interesat e shtetit, pa gjarpëruar e shtrirë qafën si disa pseudo-demokratë. Ajo që nuk u realizua për shumë e shumë takime në tryeza të rrumbullakëta, u realizua në një ditë të vetme me një veprim dinjitoz.

Secili njeri duhet të besojë në disa vlera universale siç janë liria e lëvizjes dhe e mallërave. Por, ky universalitet kur aplikohet njëanshëm nuk mund të quhet më i tillë, në rastin më të keq mund të quhet politikë serbe. Taksa si dhe shumë marrëdhënie politike me shtetin serb besoj se do të mund të rregulloheshin në të ardhmen, për këtë ju duhet vullnet, shumë vullnet. Serbia duhet të lëviz dhe të krijojë hapësirë kritike me veten dhe me shtetet ndaj të cilave ishte agresore, përfshirë edhe Kosovën. Ndryshe, kjo Serbi nuk i duhet askujt. Përkundër presioneve nga brenda dhe jashtë, Ramush Haradinaj, pavarësisht pozicioneve partiake, duhet të mbështetet në këtë sipërmarrje.