Donika Gërvalla ka reaguar ndaj anulimit të zgjedhjeve të LDK-së në Gjermani

Përfaqësuesja e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjermani, Donika Gërvalla-Schwarz ka reaguar ndaj vendimit të kryesisë së kësaj partie për anulimin e zgjedhjeve në degën e Gjermanisë.

Lajme

26/05/2015 23:03

Ajo përmes një postimi në Facebook ka paralajmëruar që kjo degë e LDK-së do të marrë pjesë në Kuvendin VIII zgjedhor kurdo që ai të mbahet.

“Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjermani, pas një procesi shembullor zgjedhor do të merr pjesë në Kuvendin VIII zgjedhor të LDK-së, të dielën më 31 maj, apo kurdo që të mbahet”, ka shkruar Gërvalla-Schwarz në profilin e saj në Facebook.

Të martën pasdite, përmes një njoftimi për media, kryesia qendrore e LDK-së ka njoftuar që ka vendosur të përsëriten zgjedhjet në degët e kësaj partie në Gjermani, Zvicër dhe në komunën e Kllokotit.

Të dielën pritet që kjo parti të mbajë kuvendin e tetë zgjedhor, në të cilin do të zgjidhet kryetari i ri dhe organet tjera udhëheqëse të kësaj partie.